Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq

Daçiq: Po na bëhet presion ta pranojmë në heshtje anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

Ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, tha se Serbia dhe vendet e BE-së që nuk e njohin Kosovë po u ushtrohet presion që të mos marrin pjesë në seancën e Këshillit të Evropës, ku do të vendoset për fillimin e pranimit të Kosovës tek ai institucion, në mënyrë që të pajtohen në heshtje me të.

“Për ne është pozita më e vështirë në Evropë, sepse numri më i madh i shteteve evropiane e kanë njohur Kosovën. Raporti i pushtetit është i tillë që garanton se ndoshta ai vendim do të kalojë. Pengesa kryesore e dëshirës së tyre është se deri më tani nuk ka ndodhur që një vend të pranohet pa konsensus dhe për këtë po na bëhet presion” – ka thënë Daçiq.

Sipas tij, tani që Rusia që është përjashtuar nga ky Këshill, po i bëjnë presion Serbisë dhe vendeve tjera të mos marrin pjesë në seancë.

“Ata duan të tregojnë se tani që e kanë përjashtuar Rusinë nga KE janë bashkuar dhe për këtë po bëjnë presion ndaj neve dhe vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën që të mos jenë të pranishëm në seancë”- tha Daçiq për Tanjug.

Ai theksoi se çështja e konfliktit në Ukrainë është e lidhur ngushtë me çështjen e integritetit territorial të Serbisë përmes respektimit të parimeve të së drejtës ndërkombëtare.

Daçiq kujtoi se qëndrimi i Serbisë është gjithmonë i njëjtë, që është respektimi i parimeve të sovranitetit dhe integritetit territorial.

“Nëse përgjigja e palës perëndimore për integrimin tonë territorial do të ishte e njëjtë si në rastin e Ukrainës, atëherë nuk do të kishim një dilemë të tillë, por këtu shihet se në një farë mënyre ka standarde të dyfishta nga të dyja palët. d.m.th që të gjithë t’i interpretojnë parimet e së drejtës ndërkombëtare ashtu siç i përshtaten në një moment të caktuar, në mënyrë që në të njëjtin seancë të Këshillit të Evropës të dëgjohet mbështetje e fortë për integritetin territorial të Ukrainës dhe mbështetje për Prishtinën që Kosova të bëhet anëtare e Këshilli i Evropës. Si mund ta kombinoni atë me njëra-tjetren” – tha Daçiq.

Ai tha se Këshilli i Ministrave të KE-së aktualisht kryesohet nga Irlanda, e cila i premtoi Kosovës se do të inicojë procedurën për anëtarësimin e krahinës serbe në atë organ.

“Ekziston një plan irlandez-gjerman me formulim që nuk është shumë i qartë. Ne jemi absolutisht kundër fillimit të çfarëdo procedure dhe do të luftojmë për deri në fund dhe kjo është gjëja e parë e rëndësishme me të cilën po përballem si ministër i Punëve të Jashtme” – theksoi Daçiq.

Daçiq po ashtu shtoi se presidenti Aleksandar Vuçiq në seancën e Këshillit të Sigurisë Kombëtare e ka paraqitur qëndrimin e tij për planin franko-gjerman për Kosovën dhe qëndrimin lidhur me targat e veturave.

“Presidenti tha qartë se është e padiskutueshme që ne do të jemi konstruktiv dhe se me asnjë lëvizje nuk do të kontribuojmë që të akuzohemi për pengesa dhe incidente të mundshme, por se do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur interesat kombëtare dhe popullin tonë në Kosovë e Metohi” – ka shtuar Daçiq.

Ai ka theksuar se propozimi franko-gjerman është paraqitur në mënyrë të papranueshme për Serbinë.

“Ata besojnë se nuk ka asgjë për të folur për zgjidhje politike, sepse ajo përfundoi me shpalljen e pavarësisë dhe se problemi kryesor është të anestezohet Serbia për ta gëlltitur atë, duke ofruar disa plane në të ardhmen” – tha Daçiq.

Ai shtoi se nuk është versioni përfundimtar i dokumentit, sepse nuk do të vendoset nga Franca dhe Gjermania në mënyrë të pavarur, por fjalën përfundimtare do ta japë Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

“Të gjithë separatistët në botë do të përdorin argumentin që përdori Kosova kur mori një vendim të njëanshëm për shpalljen e pavarësisë dhe do të përdorin mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”.

Sipas tij, kjo tani po përdoret nga Rusia, edhe pse nuk e njeh Kosovën, për të njohur republikat separatiste në Ukrainë.