Daçiq pas takimit me Vuçiq: Se preferoj kurrë opozitën

Përfaqësuesit e koalicionit SPS-JS, Ivica Daçiq dhe Dragan Markoviq kanë zhvilluar sot një takim me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq për t’u konsultuar për formimin e qeverisë së re serbe.

Lideri i Partisë Socialiste Serbe, Ivica Daçiq tha se në këtë takim është biseduar për të ardhmen e Serbisë, raporton b92.

“Ne gjithashtu folëm për politikë dhe qëllime. Unë kam thënë shumë herë se bashkëpunimi ynë nuk bazohet në numra por në qëllime plotësuese”, tha Daçiq, duke shtuar se nuk kanë biseduar për emra të ministrave dhe kryeministrit.

I pyetur, nëse partia e presidentit të Serbisë, Vuciq, SNS është më afër formimit të Qeverisë, ai tha se nuk do të preferonte që të mbesë në opozitë.

“Nuk e di. Nuk ka kuptim të më pyesësh. Unë kurrë nuk do të preferoja opozitën”, tha ai.

Kur u pyetën nëse marrëdhëniet midis SNS dhe SPS janë përkeqësuar, Daçiq vlerësoi se marrëdhëniet janë mirë.

“Ne kemi punuar së bashku gjatë gjithë këtyre viteve dhe nuk do të lejoj asgjë të prishë marrëdhëniet tona. Ne po diskutojmë qëllimet shtetërore dhe kombëtare”, tha Daçiq.

Partia e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, Partia Përparimtare Serbe, në zgjedhjet e 21 qershorit, ka fituar më shumë se gjysmën e ulëseve në Parlament.

Kurse, Partia Socialiste Serbe e Ivica Daçiqit ka fituar 32 ulëse, e ajo e Aleksandar Sapiqit 11.

Ulëse në Kuvendin e Serbisë kanë siguruar edhe katër parti të minoriteteve : Aleanca e Hungarezëve të Vojvodinës – 9, Alternativa Demokratike Shqiptare – 3, Muamer Zokorliq – 3 dhe Partia e Veprimit Demokratik të Sanxhakut – 2 ulëse.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ditë më parë është takuar me përfaqësuesit politikë shqiptarë, si pjesë e konsultimeve për formimin e një qeverie të re.

Për herë të parë, pesë parti shqiptare në komunat në jug të Serbisë, në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, kanë marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme serbe në një listë zgjedhore.