Ivica Daçiq - Foto: REL/TASS

Daçiq: Pa Marrëveshjen e Brukselit Kosova do të ishte kompletuar si shtet

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili e kishte nënshkruar në emër të vendit të tij (atëherë si kryeministër) Marrëveshjen e Brukselit më 2013, thotë se është i sigurt se sot, nëntë vjet pas, pa atë dokument, Kosova moti do të rrumbullakësohej si shtet i njohur ndërkombëtarisht.

Gjithashtu, sipas tij, pa këtë Marrëveshje, do të ishte pikëpyetje nëse do të kishte serbë ende në Kosovë.

Në një deklaratë për agjencinë serbe të lajmeve Tanjug, Daçiq tha se Marrëveshja e Brukselit ishte maksimumi i mundshëm.

“Edhe atëherë e edhe sot ne dëshirojmë shumë më shumë për Serbinë dhe për popullin serb në Kosovë“, ka thënë Daciq, duke shtuar se Marrëveshja është larg të qenit ideale, “por sikur të mos e kishim Marrëveshjen e Brukselit në atë kohë jam i sigurt se Kosova do të ishte kompletuar si shtet i njohur ndërkombëtarisht shumë kohë më parë dhe pyetja e madhe që shtrohet është nëse do të kishte ende serbë atje”.

Sipas kryekuvendarit të Serbisë, marrëveshja si e tillë është rezultat i politikës së udhëhequr nga presidenti Aleksandar Vuçiq, qëllimi i të cilit ishte ndalimi i rrumbullakësimit të shtetësisë së Kosovës dhe kthimi i gjërave në tryezën e bisedimeve.

“Në kohën kur Serbia nuk pyetej për asgjë dhe Kosova merrte njohje ndërkombëtare përditë, ne e kemi bërë një çështje të hapur që nuk mund të zgjidhet pa Serbinë”, tha Daçiq.

Sot janë bërë 9 vite nga nënshkrimi i marrëveshjes së parë mes Kosovës dhe Serbisë, e cila, mes tjerash, parashihte formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në emër të Kosovës, Marrëveshjen e kishte nënshkruar Hashim Thaçi, atëherë kryeministër i vendit.