Daçiq në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit: Nuk do të pranojmë që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, në mbledhjen e sotme të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, tha që Serbia kurrë nuk do ta njohë Kosovën.

Madje Daçiq theksoi se nuk do ta pranojnë anëtarësimin e Kosovës në OKB.

“Serbia nuk mund dhe kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e shpallur të njëanshme të Kosovës dhe nuk do të pranojë që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së. Serbia dëshiron paqe, të bisedojë dhe të arrijë normalizim afatgjatë, të kushteve dhe bashkëjetese të qëndrueshme mes shqiptarëve dhe serbëve”- tha ai.

Daçiq foli edhe për dialogun Kosovë-Serbi duke theksuar se duhet që sa më shpejt të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

“Dialogu është në momente shumë të rëndësishme ose edhe ndoshta të ndërlikuara politike, dhe kemi treguar përpjekjet tona për normalizim të marrëdhënieve… Është e domosdoshme që të formohet sa më shpejtë asociacioni sepse është një mekanizëm për të ofruar siguri për rajonet me shumicë serbe”.

Sot është duke u mbajtur seanca e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, gjatë së cilës do të shqyrtohet raporti periodik i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për Kosovën.

Kosova do të përfaqësohet nga ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.

Ndonëse Daçiq tha që nuk do të pranojnë anëtarësimin e Kosovës në OKB, marrëveshja e Ohrit për të cilën janë dakorduar Kosova dhe Serbia, përkatësisht neni 4 thotë diçka tjetër.

“Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në ndonjë organizatë ndërkombëtare”- thuhet në nenin 4 të aneksit të zbatimit të planit të Bashkimit Evropian.

Përmbajtja e planit franko-gjerman

BE publikon aneksin e zbatimit të marrëveshjes