Ivica Daçiq - Foto: REL/AP

Daçiq: Administrata Trump më e favorshme për Serbinë, nuk e mendojnë të zgjidhur çështjen e Kosovës

Ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq ka thënë se administrata e Presidentit Donald Trump është më e mirë dhe më e favorshme për Serbinë sesa udhëheqësit Demokratë, raporton Kossev.

Sipas Daçiq administrata Trump nuk e konsideron çështjen e Kosovës të zgjidhur.

“Demokratët e konsiderojnë Kosovën si çështje të zgjidhur, ndërsa administrata Trump beson se kjo çështje nuk është zgjidhur dhe se duhet të arrihet një kompromis, e ne kemi kontribuar për këtë sepse kemi arritur të tërheqim njohjen e Kosovës dhe forcuam marrëdhënie me disa shtet siç është Serbia”, ka thënë Ivica Daçiq.

Ai gjithashtu ka thënë se Serbia duhet të jetë më aktive në mbështetjen e Presidentit Trump dhe duhet t’i inkurajojë serbët në SHBA që të votojnë presidentin Trump në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit në SHBA.

Duke komentuar lajmet për mundësinë që Serbia të pezullojë fushatën e lobimit për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, Daçiq ka deklaruar se Serbia do të vazhdojë me ato aktivitete për sa kohë Kosova do të vazhdon lobimin e saj për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.

Ndërsa sa i përket anëtarësimit të Serbisë në BE, Daçiq thotë se Serbia nuk duhet të shkojë drejt rrugës së BE-së me koston e heqjes dorë nga Kosova dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Dje gjatë ditës u raportua se Serbia ka ndërprerë fushatën e saj për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës, me qëllim për të rifilluar dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Mirëpo këto raportime i kanë mohuar Vuçiq dhe Daçiq, duke i quajtur “gënjeshtër te madhe” raportimet e mediave se Serbia e ka pezulluar fushatën për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës.

Daçiq: Serbia nuk e ka ndalur fushatën e tërheqjes së njohjeve të Kosovës