D4D: 38 për qind e qytetarëve e vlerësojnë të gabuar ‘mini-shëngenin’ Ballkanik

Demokracia për Zhvillim (D4D) ka lansuar hulumtimin “Mini-Shengeni dhe Bashkëpunimi rajonal: Nevojiten gjashtë shtete për bashkëpunim në Ballkanin Perëndimor”.

Visar Xhambazi, hulumtues në këtë organizatë tha që gjatë hulumtimit kanë ardhur në përfundim që qytetarët nuk janë të informuar se çfarë është mini-shengeni Ballkanit.

Ndërsa qytetarët gjatë anketimeve, e kanë parë si të gabuar vendimin e Kosovës për të qenë pjesë e kësaj iniciative.

“38 për qind e qytetarëve deklaruan se ishte një vendim i gabuar i Kosovës, ndërsa në anën tjetër 17 për qind e qytetarëve deklaruan se ishte një vendim shumë i mirë për vendin, mirëpo kur i pyetëm qytetarët se sa kanë informacion për mini-shengenin, numri i atyre që ishin pak të informuar ishte 38 për qind, ndërsa vetëm 18 për qind e qytetarëve deklaruan se kanë qenë të informuar. Mini-shengeni si iniciativë ka dështuar t’i informoj qytetarët se çfarë ka”, tha ai.

Xhambazi ka folur edhe kohën në të cilën është plasuar kjo ide, duke shtuar se për Maqedoninë dhe Shqipërinë ka qenë problematik.

“Mini-shengeni si iniciativë erdhi në një moment tejet delikat për Ballkanin Perëndimor përderisa në një moment kur Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po prisnin që të hapnin negociatat me BE-në, kjo ishte një problematikë e madhe për Maqedoninë e Veriut, sepse për 27 vjet me radhë ata e patën të bllokuar rrugëtimin drejt BE-së meqë kishin problem me çështjen e identitetit me Greqinë”, tha ai.

Xhambazi, tha se mini-shengeni ka ardhur në një periudhë shumë të vështirë për procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Ne deklarojmë se kjo ka qenë periudha më e vështirë në dialogun Kosovë-Serbi për faktin se Serbia lansoi një fushatë të ç ‘njohjeve ndaj Kosovës, ndërsa në anën tjetër si kundërpërgjigje, Kosova ndërmori masat e reciprocitetit, dhe për dy vite me radhe nuk pati asnjë takim në Bruksel”, tha ai.

Hulumtuesi nga D4D, Visar Xhambazi vlerësoi se kjo iniciativë ka dështuar të marrë mbështetje politike.

“Mini-shengeni si iniciativë ka dështuar të marrë mbështetjen politike dhe zotimin e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor që të vazhdoj, thjeshtë shihet se tregu i përbashkët ekonomik është një alternativë më e mirë dhe ka linjat e komunikimit dhe mekanizmat e nevojshëm”.

Liderët e tri vendeve ballkanike, Edi Rama kryeministër i Shqipërisë, Zoran Zaev kryeministër i Maqedonisë s% Veriut dhe Aleksandar Vuçiq president i Serbisë, në nëntor të vitit 2019 kanë arritur ujdi rreth projektit për ‘mini-shengenin’ ballkanik.

Kjo ide është kundërshtuar nga pala kosovare, deri më 4 shtator të vitit të kaluar, datë në të cilën Kosova në Uashtington nënshkroi marrëveshjen duke pranuar që të bëhet pjesë e kësaj ujdie.