D+ publikon raportin mbi zotimet e nënshkruara nga kryetarët e komunave

Kryetarët e komunave në vend u zotuan për publikim të vendimeve në ueb, transparencë financiare, konsultime publike në lagje dhe fshatra, transparencë në prokurim publik, publikim të raportit të përmbushjes së premtimeve, si dhe adresimi i kërkesave të qytetarëve përmes platformave online.

Kështu është bërë e ditur nga tryeza e mbajtur nga Demokracia Plus (D+), ku u prezantua raporti “Progresi në zotimet për qeverisje të mirë – 2 vite pas”, për zotimet e nënshkruara në tetor të 2017-s nga kryetarët e komunave më të mëdha në vend, gjatë kohës sa ishin kandidatë për këtë pozitë.

Sipas një komunikate për media, Debora Peci hulumtuese në D+, deklaroi se vitin që po lemë pas, jo të gjitha komunat kanë arritur t’i përmbushin të gjitha zotimet.

“Për dallim nga viti i kaluar, këtë vit komuna e Prishtinës ka arritur t’i përmbush zotimet, e pasuar nga komuna e Pejës dhe Gjakovës, e cila ka shënuar progres nga viti i kaluar. Ndërsa komuna e cila më së paku ka arritur t’i përmbush zotimet për qeverisje të mirë, është komuna e Ferizajt”, vijon njoftimi.

Kryetar i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, vlerësoi këtë publikim, duke thënë se kjo komunë mundohet që të mbajë në vazhdimësi transparencë dhe se për këtë kanë bashkëpunim me donatorë dhe OJQ.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Muhedin Nushi tha se pajtohet me të gjeturat e raportit të D+ dhe se janë të përqendruar nga mandati i parë në transparencë, në digjitalizim dhe në konsultat publike.

“Në fund të vitit kryetari do të bëjë publikimin e raportit me 100 premtimet e tij”, citohet te këtë thënë Nushi.

Në anën tjetër, nënkryetarja e Komunës së Prizrenit, Memnuna Ajdini, vlerësoi se kjo komunë ka përmirësime dhe se platformat online kanë ndikuar në bashkëpunim me komunitetet, por e paraqiti si problem pjesëmarrjen e ulët të grave, sidomos në debate publike.

Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, theksoi se raporte të tilla si të D+ ndihmojnë komunat për përmirësime në performancë dhe çështje të tjera, duke vënë në pah se sa i përket transparencës janë shpërblyer si komuna më e mirë në vend.

Ndërkaq, drejtori për Buxhet dhe Financa në Komunën e Gjilanit, Zijadin Maliqi, tha se nuk pajtohet me njërën nga të gjeturat e raportit të D+ sa i përket transparencës buxhetore, duke thënë se çdo gjë është e publikuar online. Por, ai e pranoi se te fusha e prokurimit nuk qëndrojnë mirë.

Në fund, Fatos Axhemi, nga Komuna e Gjakovës, theksoi se janë në përkrahje të platformave online të D+ që kontribuojnë në transparencë dhe jo vetëm.