D+, OSHP, raporti gjashtemujor, 15.08.2024, foto Raporti i D+

D+ del me raport: OSHP-ja me vonesa në vendimmarrje

Organizata Joqeveritare “Democracy Plus” ka publikuar raportin ‘Vlerësimi i Organit Shqyrtues të Prokurimit: Shqyrtim dhe rekomandime gjashtë mujore (janar – qershor 2024)’.

Kjo organizatë ka gjetur se OSHP ka pasur vonesa në vendimmarrje.

Në raport thuhet se nuk po respketohet afati ligjor për publikimin e vendimeve dhe se kjo ndikon në efikasitetin dhe efektivitetin e procesit të prokurimit publik.

“Një nga pasojat kryesore të këtyre vonesave është zgjatja e aktiviteteve të prokurimit publik. Kur ankesat nuk adresohen menjëherë dhe vendimet nuk publikohen brenda afatit të përcaktuar, pengohet rrjedha e proceseve të prokurimit” – thuhet mes tjerash në raportin e D+.

Më të ndjeshme, sipas D+, janë rastet kur procedurat e tenderimit janë për aktivitete sezonale ose ato të ndjeshme ndaj kohës. Permenden tenderët për mirëmbajtjen e rrugëve dhe ato për furnizim me mallra.

“Tejkalimi i afatit ligjor prek integritetin dhe reputacionin e OSHP-së si organ i pavarur dhe i paanshëm përgjegjës për zgjidhjen e kontesteve të prokurimit” – thuhet tutje.

Po ashtu, si gjetje përmendet edhe mungesa e konsistencës në vendime.

Kjo sipas D+ ndikon në besueshmërinë ndaj këtij institucioni.

“Mos konsistenca ngre shqetësime për drejtësinë dhe paanshmërinë e procesit të rishikimit duke i bërë palët e interesuara veçanërisht OE-të, të përballen me rezultate të paparashikueshme dhe të ndryshme, duke nxitur kështu pasiguri” – thuhet në raport.

Mes tjerash në raport thuhet se OSHP mbështetet shumë në ekspertizën e ekspertëve shqyrtues dhe se “është thelbësore që të ketë vazhdimësi në rekrutimin e ekspertëve shqyrtues, zgjerimit të ekspertizës dhe trajnimit të tyre”.

Kjo organizatë thotë se ka nevojë për të punuar më shumë në transparencën e këtij institucioni.

“Kjo përfshin angazhimin e një specialisti të IT-së, transmetimin e të gjitha seancave dëgjimore në internet, mbajtjen e linqeve për qasje publike, publikimin e ankesave dhe vendimeve në një format të lexueshëm në faqen zyrtare të internetit dhe sigurimin e dokumentacionit të duhur” – thuhet tek gjetjet e raportit.

“Democracy Plus” rekomandon OSHP-në që të përmirësoj bazën e të dhënave dhe të angazhoj një ekspert të IT-së në mënyrë që të eleminohen gabimet në bazën e të dhënave.

Si rekomandim tjetër është që të punohet në përzgjedhjen automatike të ekspertit shqyrtues, gjë e cila sipas D+ do të shmangte favorizimin dhe do të rriste llogaridhënien.

Për të siguruar profesionalizëm nga ekspertët, kjo OJQ rekomandon që të bëhet edhe vlerësimii perfomancës së tyre.

Rekomandohet që ekspertët të mos kategorizojnë rastet si ‘pjesërisht të bazuara’ për shkak se kjo vështirëson punën e panelit shqyrtues.

Publikimi i gjobave për institucionet që nuk reskpektojnë vendimet e OSHP-së rekomandohet për shkak se kjo do të dekurajonte shkeljet e radhës sipas raportit.

“Të bëhet publike kërkesa për diskualifikim që vjen nga AK për OE. Me publikimin e kërkesave për diskualifikim, do të kishte një pasqyrë të hapur se sa është numri i kërkesave, dhe sa është koha që OSHP-së i duhet të marrë vendim” – është një rekomandim tjetër i dalë nga ky raport.

Po ashtu kërkohet që orari i mbajtjes së seancave të OSHP-së të jetë public në faqen online të OSHP-së si dhe të bëhet transmetimi i drejtëpërdrejtë i të gjitha seancave.

Raportin e plotë ‘Vlerësimi i Organit Shqyrtues të Prokurimit: Shqyrtim dhe rekomandime gjashtë mujore(janar – qershor 2024)’, mund ta gjeni në këtë VEGËZ.