Ministria e Drejtësisë - Foto: KALLXO.com

CV- Këshilltari i ministrit të Drejtësisë, ende student i Fakultetit Juridik

Këshilltari politik i ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, Liridon Hereqi është ende student i Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, Fakulteti Juridik.

“Konfirmojmë se Liridon Hereqi ka statusin e studentit në Fakultetin Juridik”, thuhet në përgjigjen me shkrim të fakultetit për KALLXO.com.

Sipas vendimit të Ministrisë së Drejtësisë, Hereqi është emëruar këshilltar i ministrit, më 29 qershor 2020.

Lidhur me këtë çështje, KALLXO.com e ka kontaktuar edhe ministrin e Drejtësisë, Selim Selimi, por i njëjti ka qenë i paqasshëm përmes telefonit.

KALLXO.com e ka kontaktuar edhe Hereqin, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.

Ministria e Drejtësisë udhëhiqet nga ministri Selim Selimi i cili vjen nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

KALLXO.com e ka kërkuar edhe CV-në e tij në Ministrinë e Drejtësisë, por e njëjta nuk është ofruar deri në publikimin e këtij artikulli.

KALLXO.com kishte raportuar gjithashtu se zëvendësministri i Arsimit, Driton Bardheci ende nuk ka diplomuar në nivelin Bachelor.

Këtë e pati konfirmuar për KALLXO.com Fakulteti e Inxhinierisë Mekanike në Universitetin e Prishtinës, ku Bardheci vijon studimet. FIM ka bërë të ditur se Bardheci është student i vitit të tretë të studimeve Bachelor.

Universiteti i Prishtinës e konfirmon: Zëvendësministri ende student