Çun Lajçi shet libra në qytetet e Kosovës si shenjë rebelimi ndaj politikës

Aktori dhe autori i disa librave, Çun Lajçi, për disa ditë me radhë ka dalë të shesë librat e tij në qytetet e Kosovës.

Aktori i mbi 30 filmave dhe 200 roleve, sot nga ora 11:00 deri në orën 15:00 ka njoftuar se ka dalë të shesë librat e tij para teatrit të Gjilanit, ndërsa nga ora 16:00 deri në orën 18:00 do të dalë të shesë librat e tij në Ferizaj.

Sipas autorit të shumë teksteve të këngëve, arsyeja se pse po del të shesë librat e tij në qytete nuk është nga skamja por si shenjë rebelizmi ndaj kastave politike të cilat nuk po bëjnë asgjë për artin.

“Por dijeni, se nuk po e baj nga skamja, por nga rebelizmi im, ndaj nji kaste politike, që s’çan mendjen për artin! Rrofshin shesh-xhirimet e filmave të dikurshëm, që na mësuan se si kalitet arti e si mbahet e shëndoshë mendja!”, ka shkruar recituesi i famshëm i Lahutës së Malësisë në Facebook.

Para dy ditësh, profesori i dramës kishte dalë të shesë ekzemplarët e librave të shkruar në qytetin e Ferizajt, ku më pas kishte njoftuar përmes Facebookut se të gjithë librat e tij i kishte blerë këngëtari Labinot Tahiri.

“Pergamenë e djegur”, “Bastardët” janë disa nga titujt e librave që u hasën ditëve të fundit në qytetin e Pejës, Gjakovës, Ferizajt e Prizrenit.

Më 10 gusht aktori i njohur i teatrit kishte promovuar librin e tij të ri “Bastardët” mbi gurët e moçëm të urës së Prizrenit. Këtë promovim ai e kishte quajtur promovim të bastarduar.