Çrregullohet sistemi i analizave të gjakut në QKMF-në e Drenasit

Njëra prej analizave laboratorike – hemogrami apo siç njihet që ndryshe edhe si “pasqyra e gjakut” nuk ka funksionuar sot në Qendrën Kryesore Mjekësore Familjare (QKMF) në Drenas.

Një qytetar është ankuar në KALLXO.com se ai dhe disa qytetarë nuk kanë arritur që të marrin rezultatin e analizës së gjakut në këtë institucion.

“E kam bë pasqyrën e gjakut në mëngjes sot në orën 8, e më thanën hajde për rezultat në orën 14:00. Kur shkova me thanën që pas gjysmë ore, e që nëse as pas gjysmë ore nuk është gati, atëherë lene krejt se nuk po bënë diçka aparati”, shprehet ai.

Teksa shton se kjo analizë në laboratorë privat kushton dhjetë euro.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e QKMF-së në Drenas, Ismet Bogiqi.

Bogiqi ka konfirmuar se hemogrami ka dalë prej ekuilibrimit sot. Ai thotë se e kanë njoftuar operatorin, duke shpresuar që deri nesër do të rregullohet.

“Ka dal prej ekuilibrimi sot. I kemi dy aparate, njëri është dal prej ekuilibrimi, ai në Drenas. Operatorin e kanë thirrë për me kalibiru se s’po bënë, edhe me atë në Komoran po kemi problem. E kanë thirrë operatorin tash shkojnë procedurat, me rregull duhet me intervenu në të dyjat përnjëherë. Problemi është tek kodet, ka dal prej sistemi. Tash ne nuk mundemi me ia dhanë analizat jokonfirmitet, ma mirë është mos me ja dhanë hiç se ashtu. Tash duhet me bë përpjekje që me ardhë sa ma shpejtë operatori me rregullu që mos me dal analizat jokonfirmitet”, thotë drejtori.

Ai beson që deri nesër hemogrami do të rregullohet.

“Bisedova me biokimisten se qysh me ja bë, ju thash qysh s’keni tregu ma herët që s’po bënë aparati që mos me ja marrë analizat bile për hemogram. Po besoj që deri nesër duhet me u rregullu, se s’bënë me nejtë pa të”, shtoi ai.