Cramon thirrje deputetëve: Vendosni interesin e Kosovës para interesit personal dhe të partisë

Raportuesja për Kosovë në Parlamentin Europian, Viola von Cramon, u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të vendosin interesin e Kosovës para interesit të partisë.

“Kështu shpresoj edhe unë. Ju lutem sigurohuni që të gjithë në Kuvendin e Kosovës të vendosin interesin e vendit në vend të parë e jo interesin personal ose të partisë”, ka shkruar Cramon në Twitter.

Thirrja e Cramon ka ardhur pas deklaratës së ambasadorit gjerman në Kosovës, Jorn Rohde.

Rohde ka lavdëruar vendimin e LDK-së që të qëndrojnë në sallë në momentin e votimit për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.

“Është për t’u lavdëruruar që LDK do të marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së presidentit të ri. Shpresojmë që të gjithë deputetët e zgjedhur do të ndjekin dhe vendosin nevojat e qytetarëve të Kosovës mbi partizanitetin politik. Unë vështirë se mund ta imagjinoj rrezikimin për zgjedhje të reja në mes të valës së pandemisë aktualisht në rritje”, kishte shkruar Rohde në Twitter.

Gjatë ditës së djeshme, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku pas takimit me deputetët e LDK-së ka dalë me qëndrimin se LDK do të bëjë kuorumin për zgjedhjen e presidentit.

Kandidate për presidente të Kosovës është Vjosa Osmani, për zgjedhjen e së cilës do të thirret seanca e Kuvendit të Kosovës në ditët në vazhdim.