Ilustrim

COVID-19 zbut deficitin tregtar

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin prill 2020.

Sipas të dhënave të ASK-së tregojnë deficit tregtar më të ulët në muajin prill, në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Sipas ASK-së, deficit tregtar është më i ultë për 37.6% apo rreth 100 milionë euro më pak.

“Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për (-37.6%) në muajin prill 2020, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2019, gjegjësisht në vlerë prej 161.2 milionë Euro, krahasuar me deficitin prej 258.5 milionë Euro në vitin 2019. Eksporti mbulon importin me 16.9%”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Eksporti i mallrave në prill të të 2020 ishte 32.6 milionë euro, ndërsa importi 193.9 milionë euro.

Edhe këtu, sipas SK-së ka rënie.

“Eksporti i mallrave në muajin prill 2020 kishte vlerën 32.6 milionë euro, ndërsa importi 193.9 milionë Euro, që është një rënie prej (-11.5%) për eksport dhe (-34.4%) për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019”, thuhet në njoftimin e ASK-së.

Raporti i ASK-së tregon se 45.3% e eksporteve janë metale bazë dhe artikuj prej tyre.

11.2% e eksportit përfshinë plastika, goma dhe artikujt prej tyre.

8.5% tjetër e eksportit përbëhet prej produkteve të industrisë kimike. 8.3% e eksportit përbehet për ushqime të përgatitura, pije e duhan.

Ndërsa, sa i përket importit, 16.3% e produkteve përbënë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhanin.