COVID-19, Syla takon ambasadorin e OSBE-së Braathu, i tregon për mungesën e stafit në spitale dhe klinika

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jan Braathu është takuar sot me kryetarin e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla.

Sipas një njoftimi të OSBE-së, Syla e informoi ambasadorin Braathu për situatën e vështirë me të cilën përballen mjekët, infermierët dhe personeli ndihmës i institucioneve shëndetësore për shkak të pandemisë së coronavirusit.

“Ai nënvizoi në veçanti mungesën e stafit në spitale dhe klinika, për të cilën tha se është bërë akute që nga shpërthimi i COVID-19”, thuhet në njoftim.

Kurse, ambasadori Braathu thuhet se e ka falënderuar Sylën për informimin rreth qëndrimeve të Federatës në mbështetje të Projektligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, që aktualisht gjendet në Kuvendin e Kosovës.

Braathu ka theksuar rëndësinë e sindikatave si shtyllë kryesore e shoqërisë civile, duke thënë se, është e rëndësishme që profesioni mjekësor e ka një zë dhe ai zë duhet të dëgjohet.