COVID-19 shtyn mbajtjen e festivalit ‘FemArt 8’ për në tetor 

Qendra për Art dhe Komunitet, “Artpolis”, ka bërë të ditur se ka shtyrë organizimin e edicionit të 8-të të festivalit ‘FemArt 8’, për muajin tetor të këtij viti. 

Përmes një komunikate për media, “Artpolis” njofton se shkaku i pandemisë së coronavirusit është e detyruar ta shtyjë mbajtjen e festivalit për në  15 – 20 tetor, 2020. 

“Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis, organizon festivalin ‘FemArt’, për të 8-ën herë radhazi në Prishtinë, Kosovë nga data 15 – 20 Tetor, 2020 ( 6 ditë) me moton ‘Çka nëse gratë do të kishin më shumë fuqi?!”. ‘FemArt’ është festivali i parë dhe i vetëm feminist në Kosovë, njëherësh edhe më i madhi në rajonin e Ballkanit që vazhdon të bashkojë artistë dhe aktivistë nga e gjithë bota në zemër të Kosovës për tetë vite’, thuhet në njoftimin e “Artpolis”.  

Për çdo vit, “FemArt” angazhon mbi dyqind gra artiste dhe aktiviste nga e gjithë bota që shfaqin punën e tyre kreative përmes shfaqjeve teatrale, filmave, dokumentarëve, leximeve skenike, arteve vizuale, ekspozitave, performancave në rrugë, koncerteve, promovime librash, ligjëratave, poezive, punëtorive, panele diskutimesh, konferenca dhe prezantime, murale dhe shumë forma të tjera arti. 

Festivali Ndërkombëtar për Artiste dhe Aktiviste, “FemArt”, është një platformë për inicimin dhe prezantimin e ideve dhe krijimeve që sjellin përpara konceptet feministe dhe zhvillimet e tyre në Kosovë, duke u angazhuar për të drejtat e barabarta të grave si dhe urë lidhëse për ndërtimin e paqes në rajon.  

Programi i ‘Fem Art” përzgjidhet nga një grup i artisteve dhe aktivisteve të cilat kanë përvojë në fusha të ndryshme të artit dhe të drejtave të njeriut.