Spitali Isa Grezda - Gjakovë - Foto arkiv: Kallxo.com

COVID-19: Në spitalin e Gjakovës po trajtohen 57 pacientë, gjashtë në gjendje të rëndë

Në Spitalin Rajonal të Gjakovës janë duke u trajtuar 57 pacientë të cilët janë të infektuar me COVID-19.

Prej tyre, sipas drejtorit të Spitalit të Gjakovës, Hilmi Shala, gjashtë janë në gjendje të rëndë.

“Sot i kemi 57 pacientë. Në gjendje të rëndë i kemi gjashtë. Po kemi kapacitete deri më tani. I kemi deri në 100 shtretër për trajtimin e këtyre pacientëve. I kemi të gatshëm pra 100 shtretër”, tha
Shala për KALLXO.com.

Tutje ai tregoi se deri më tani nuk kanë regjistruar asnjë mjek të infektuar me COVID-19 ndërsa për pacientët me COVID-19 janë duke operuar pesë reparte.

“Mjek nuk kemi të infektuar deri më tani, mirë jemi në këtë pjesë. Për momentin operojmë në pesë reparte që i kemi bërë për COVID-19, që nga fillimi i pandemisë i kemi pasur këto reparte”, shtoi drejtori Shala.

Drejtori i Spitalit në Gjakovë tregoi edhe se kanë sasi të mjaftueshme të oksigjenit për pacientët me COVID-19.

“Ne kemi edhe oksigjenin qendror edhe me boca. Spitali i Gjakovës ka edhe oksigjenin qendror edhe me boca, do të thotë ku nuk ka oksigjen qendror i dërgojmë bocat dhe aty ku ka mundësi shkojmë me oksigjen qendror”, tregon Shala.

Komuna e Gjakovës vetëm dje ka regjistruar 23 pacientë të rinj të infektuar me COVID-19.

Nga 23 pacientët e regjistruar në Gjakovë, 2 janë në fshatin Brovinë, 1 në fshatin Doblibar, 17 në Gjakovë, 1 në fshatin Guskë, 1 në fshatin Novosellë e Epërme dhe një në Osek Pashë.

Në total gjatë ditës së djeshme nga 1 mijë e 137 testime, 491 kanë rezultuar pozitiv me COVID-19 ndërsa janë shëruar 66.