COVID- 19 ndryshon formën e organizimit të edicionit të 19-të të festivali ‘ReMusica’

Festivali Ndërkombëtar i Prishtinës, ‘ReMusica”  është planifikuar të mbahet nga 7 deri më 21 shtator 2020. Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia e COVID-19,  edicioni sivjetmë i këtij festivali do të mbahet në formatin special TV  dhe online.

Përmes një njoftimi për media, organizatori i këtij festivali ka njoftuar se edicioni i 19-të i Festivalit Ndërkombëtar të Prishtinës, “ReMusica”, sivjet, vjen në një format të ri, format i kushtëzuar nga rrethanat dramatike që është duke kaluar njerëzimi.

“Kemi qenë të shtrënguar, ashtu si edhe ndërmarrjet të tilla të ngjashme në botë, t’i kthehemi punës dhe t’i përkujtojmë vlerat fundamentale të ekzistencës. Në përpjekjet që të dilet nga ky boshllëk, në horizont shfaqet shpresa si filozofi shumë e hollë e jetës – shpresa për ndryshim, shpresa për jetë, shpresa e gëzimit, shpresa e këngës, shpresa e botës së tingujve, shpresa e lumturisë. Shpresa shfaqet mu atëherë kur gjithçka duket e humbur. Ajo ngadhënjen mbi dëshpërimin (si mëkat i pafalshëm), ajo shkëlqen në fund të mendimeve tona të errëta”, thuhet në komunikatën  e “ReMusicas”.