Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, Foto: Getty Images/CNN

COVID-19 - Kryeministrja e Zelandës së Re ia ulë rrogën vetes dhe ministrave për 6 muaj

Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern ka njoftuar se ajo së bashku me ministrat e qeverisë do të marrin pagë me 20% ulje për gjashtë muajt e ardhshëm.

Ulja e pagave do të ndihmojë në kursimin e parave në një kohë kur ekonomitë në mbarë botën po preken shumë nga pandemia e coronavirusit, raporton CNN.

“Sot, unë mund të konfirmoj që unë, ministrat e qeverisë dhe shefat e shërbimeve publike do të marrin një ulje të pagave prej 20% për 6 muajt e ardhshëm, pasi e pranojmë që shumë qytetarë janë duke u varur nga subvencionimi i pagave, disa të tjerë janë duke pasur ulje në paga dhe të tjerë janë duke e humbur punën e tyre si rezultat i pandemisë globale COVID-19”, tha Ardern në një konferencë për media.

Numri i të prekurve me coronavirus në të gjithë botën e ka kaluar shifrën prej 2 milionë. Kurse numri i personave që kanë vdekur nga coronavirusi është 127,492.

Në Zelandën e Re, numri i të infektuarve nga coronavirusi sipas të dhënave të fundit ka shkuar në 1,386 kurse 9 persona kanë vdekur.