Objekti i Komunës së Kllnës | Foto: KALLXO.com

COVID-19 – Klina blen rreth 10 mijë euro mjete mbrojtëse

Komuna e Klinës ka nënshkruar kontratë në vlerë 9 mijë e 855 euro për furnizim me mjete mbrojtëse për parandalimin e pandemisë së coronavirusit.

Kontrata me kompaninë fituese “KosovaMed Healthcare” Sh.P.K. nga Prishtina është nënshkruar brenda 6 ditëve përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë.

Tenderi ishte iniciuar më 27 mars dhe është nën shkruar më 1 prill.

Kompania fituese do ta furnizojë Komunën e Klinës me 3 mijë copë maska shumë-përdorimëshe, 300 kombilizon mbrojtës shumë-përdorimësh dhe 3 mijë dorëza një-përdorimëshe.

Blerja e masave mbrojtëse vjen pas një vendimi të Këshillit Emergjent për nevoja të situatës për stafin mjekësor dhe institucioneve të tjera për parandalimin e pandemisë.

Klina ka qenë një ndër komunat e para e cila është përballur me një person të prekur me coronavirus.

Në Kosovë, që nga 13 marsi kur edhe është lajmëruar rasti i parë, numri i të infektuarve me coronavirus ka arritur në 125, 10 persona janë shëruar dhe një person ka vdekur.

Përderisa në botë sipas të dhënave të fundit, numri i personave të prekur me coronavirus është duke iu afruar 1 milionëshit.