COVID-19, këto janë vendimet e reja të Ministrisë së Shëndetësisë

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka thënë se Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë në këtë fundjavë ka konstatuar situatë të qëndrueshme nga coronavirusi, me rritje të lehtë të rasteve në disa komuna që nuk janë zbatuar rekomandimet.

Zemaj ka prezantuar masat e reja të MSh-së, mes të cilave nga dita e hënë hiqet edhe kufizimi i lëvizjes nga ora 21:00 deri në ora 05:00 të mëngjesit, siç është aktualisht.

“Pas analizës së bërë të situatës së fundi, me hapjen e kufijve në lehtësimin e masave për qarkullimin e lirë të qytetarëve, Instituti Kombëtar rekomandon: 1. Kontrollin e detajuar mjekësor për të gjithë udhëtarët që hyjnë në Republikën e Kosovës, duke marrë shënimet e sakta të vendqëndrimit në Kosovë (adresa dhe numri i telefonit) për përcjelljen e gjendjes së tyre klinike nga QKMF të komunave përkatëse. 2. Kontrolli i detajuar kryhet sipas udhëzuesve të OBSh, që konsiston në matjen e temperaturës, shenjat dhe simptomat klinike si dhe kontaktet e eventuale të dy javëve të fundit me persona pozitiv ose persona të dyshimtë në COVID-19”, tha Zemaj.

Bazuar në këto, sipas ministrit, që nga e hëna me 8 qershor qytetarët që hyjnë në Kosovë, nuk do t’i nënshtrohen masës së vetizolimit shtëpiak 7 ditor.

“Ndërsa, në vend të testimit të obliguar për Covid -19 për ata që hyjnë, do të jetë masa e kontrollit nga ekipet mjekësore të QKMF-ve të vendosura në pikat kufitare apo edhe në vet QKMF-të brenda komunave”, tha ai.

Ministri shtoi se bazuar në situatën epidemiologjike, MSh do të mundësojë liri të plotë të lëvizjes e qarkullimit të qytetarëve dhe mallrave në veçanti me Republikën e Shqipërisë, “derisa kemi adresuar edhe kërkesat e shumë studentëve dhe qytetarëve të komunave nga Lugina e Preshevës, në mënyrë që edhe ndaj tyre të mos aplikohen kufizime që ju paraqesin pengesa për lëvizje të lirë me Kosovën”,

Zemaj ka kërkuar nga qytetarët dhe bizneset të zbatohen masat mbrojtëse ndaj coronavirusit.