COVID-19: Hapet Reparti i Pediatrisë në Gjilan

Ditë më parë, kur u konfirmuan tre punonjës mjekësorë të infektuar me coronavirus nga Reparti i Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Gjilanit, komuna vendosi që të mbyllte këtë Repart.

Mostra të shumta ishin marrë të kontakteve që kanë pasur punonjësit shëndetësorë pasi dolën pozitivë me COVID-19.

Nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli ka konfirmuar për KALLXO.com se Reparti i Pediatrisë është hapur sërish dje pasdite.

“Po reparti është hapur pas procedurave të ndërmarra nga ana e Komunës”, tha Ismajli.

Një doktor, 3 infermiere dhe një punonjëse e mirëmbajtjes së Repartit të Pediatrisë ishin prekur me coronavirus.

Drejtori i Spitalit, Nisret Hajrullahu në një intervistë për KALLXO.com kishte treguar se pas mbylljes së Repartit, puna ishte zhvendosur në QKMF në Gjilan deri në hapjen e tij.

Gjatë ditës së sotme Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se gjithsej 14 raste janë konfirmuar me coronavirus vetëm sot.

Nga 14 të prekurit gjashtë janë nga Gjilani. KALLXO.com raportoi se të infektuarit janë kontakte të cilët u konfirmuan me COVID-19 ditë më parë.