Ilustrim

COVID-19, gjashtë pacientë në gjendje të rëndë shëndetësore

Gjashtë pacientë të infektuar me coronavirus janë në mjekim intensiv pasi që gjendja e tyre është e rëndë, kurse 28 pacientë të tjerë janë në oksigjeno-terapi.

Në total janë 67 pacientë të cilët po marrin trajtim mjekësor në klinikat dhe spitalet rajonale në vend.

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka bërë të ditur se 11 pacientë nga Shqipëria të cilët janë të infektuar me coronavirus janë duke u trajtuar në Spitalin Rajonal në Gjakovë.

Ndërsa sa u përket spitaleve tjera rajonale, spitali në Mitrovicë është duke trajtuar pesë pacientë, në Ferizaj po marrin trajtim mjekësor katër pacientë, në Gjilan tre ndërsa në Pejë dy pacientë.

Klinika për sëmundje ngjitëse në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është duke trajtuar 11 pacientë, në Mjekimin Intensiv po trajtohen tre pacientë.

Pacientët të cilët tashmë e kanë kaluar infeksionin COVID-19 por kanë nevojë për trajtim post-COVID, janë duke u trajtuar në Klinikën e Pulmologjisë. Sipas ShSKUK-së në këtë klinikë janë 28 pacientë duke marrë trajtim.

Ministria e Shëndetësisë dje ka njoftuar se brenda 24 orëve në Kosovë janë shënuar 16 raste të reja të infektimit me coronavirus ndërsa nuk është shënuar asnjë rast i vdekjeve.

Në Kosovë aktualisht janë 464 raste aktive me SARS-CoV-2.

Rasti i parë i infektimit në Kosovë është shënuar më 13 mars të vitit të kaluar, dhe për më tepër se një vit në nivel vendi janë regjistruar 160 mijë e 622 raste me COVID-19, prej tyre 2 mijë e 974 kanë vdekur ndërsa 157 mijë e 184 janë shëruar.

Në mënyrë që të parandalohet përhapja e infeksionit Qeveria në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike çdo dy javë bën publike masat e reja, varësisht nga situate epidemiologjike në vend.

Duke klikuar KËTU mund të informoheni për masat e reja të cilat janë vendosur dje.