Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

COVID-19, bie numri i pacientëve, asnjë i hospitalizuar në Mjekësinë Sportive

Për më tepër se një vit objekti i ri i Mjekësisë Sportive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka shërbyer për pacientët e infektuar me SARS-CoV-2, ndërsa numri i rasteve të të hospitalizuarve nëpër klinika e spitale ka rënë dhe Klinika e Mjekësisë Sportive nga nuk ka asnjë pacient me COVID-19.

“Klinika Infektive II (Mjekësi Sportive), nga dita e sotme nuk ka asnjë pacientë të hospitalizuar me COVID-19. Katër pacientët e fundit që kishte kjo njësi, janë transferuar në kuadër të Klinikës Infektive”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.

Sipas të dhënave të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës aktualisht në QKUK pacientë me coronavirus janë duke trajtuar tre klinika, Klinika Infektive e cila ka 17 pacientë, Pulmologjia me 26 pacientë si dhe Mjekimi Intensiv ka katër pacientë.

Ndërsa sa i përket spitaleve rajonale në vend, Spitali Rajonal në Ferizaj ka më së shumti pacient me COVID-19 të cilët janë duke marrë trajtim mjekësor, 11 sosh, pastaj Spitali në Mitrovicë ka tetë pacientë, në Gjilan janë shtatë pacientë si dhe nga pesë pacientë janë duke u trajtuar në Spitalin e Gjakovës dhe të Prizrenit. Në dy spitalet e fundit janë duke u trajtuar edhe pacientë nga Shqipëria.

Ministria e Shëndetësisë në raportin ditor të saj ka njoftuar se brenda 24 orëve në nivel vendi janë shënuar 20 raste të reja me COVID-19, ndërsa nuk është evidentuar asnjë rast i vdekjeve.

Aktualisht në nivel vendi janë 786 raste aktive me SARS-CoV-2.