COVID-19, Bashkimi Europian nuk lejon fluturimet nga Shqipëria të shtetasve shqiptarë

Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka deklaruar se Bashkimi Europian nuk ia ka lejuar Shqipërisë lëvizjen e lirë të qytetarëve për në shtetet e BE-së për shkak të situatës shëndetësore në vend nga coronavirusi.

“Situata shëndetësore në Shqipëri, duket se nuk i ka bindur zyrtarët e Bashkimit Europian që të hapin dyert për shqiptarët. Ndaj, pas takimit të mbrëmshëm të diplomatëve të EU, Shqipëria është lënë jashtë listës së shteteve, që mundëson qytetarët të mund të hyjnë lirisht në vendet e Bashkimit Europian. Sonte pritet të zyrtarizohet lista”, thuhet në reagimin e aeroportit.

Sipas njoftimit, lista nga BE-ja do të rishikohet pas dy javësh.

“Pavarësisht se kishte shumë shpresë për datën 1 korrik, të gjithë shqiptarët, të pajisur me pasaportë të rregullt, nuk do të munden të lëvizin lirisht drejt destinacioneve Shengen. Pas 2 javësh, kjo listë do të rishikohet, ndaj të jemi të kujdesshëm, të mbajmë distancimin fizik dhe higjenën”, vijon njoftimi.

Sipas Aeroportit të Tiranës, mbeten në fuqi rregullat për ata që kanë pasaportë dhe lejeqëndrimi në shtetet e BE-së, për lëvizjen e lirë.

Në Shqipëri sipas të dhënave zyrtare, janë 1,014 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Durrës.