Ilustrim

Coronavirusi ‘zbut’ papunësinë, regjistrohen 6,582 punëtorë

Pako emergjente fiskale e miratuar nga Qeveria e Kosovës me qëllim që t`u dalë në ndihmë bizneseve dhe të punësuarve në sektorin privat ka ulur edhe nivelin e papunësisë në vend.

6,582 është numri i punëtorëve të rinj të punësuar në sektorin privat që nga koha e miratimit të pakos emergjente fiskale.

Sipas zëdhënëses së ATK-së, Valentina Bytyqi Sefa, ky numër i punëtoreve të rinj është regjistruar gjatë muajit prill të këtij viti.

“Numri i punëtoreve te rinj duke u krahasuar me periudhën 01/2020 ose 02/2020, del se është 6,582”, ka thënë Sefa për KALLXO.com.

Ky numër i punëtoreve të rinj të regjistruar nënkupton se numri i të papunëve në Kosovë është zvogëluar për 6,582 persona.

Të gjithë këta punëtorë pritet që të përfitojnë nga pako emergjente fiskale e miratuar nga Qeveria e Kosovës.

Kjo kategori e të punësuarve pritet të mbështetet nga Buxheti i Republikës me nga 130 euro gjatë dy muajve të pandemisë.

Ministri i Financave Besnik Bislimi kishte deklaruar se të gjitha bizneset të cilat i regjistrojnë punëtoret e rinj dhe ju ofrojnë kontrata një vjeçare nuk do të ndëshkohen nga Administrata Tatimore e Kosovës edhe në rast se këta punëtorë më parë kanë qenë të padeklaruar.

Ai ka thënë se qëllimi i pakos është t`u dalë në ndihmë bizneseve dhe jo t`i ndëshkoje ato.

Që nga koha kur ka filluar aplikimi për kompensimin e pagave të punëtorëve e deri me sot, në Administratën Tatimore të Kosovës janë paraqitur 107,539 kërkesa nga biznese të ndryshme në Kosovë.

Gjatë kohës së pandemisë në Kosovë me rekomandim të Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese – BIRN, Administrata Tatimore është duke kryer inspektime për verifikimin e kontratave të punës nëpër bizneset që po ushtrojnë veprimtarinë gjatë kësaj periudhe.

Deri me tani në bazë të raportimeve të KALLXO.com, ATK ka konstatuar 13 punëtorë pa kontrata pune në tre biznese të ndryshme.

Nëntë punëtorë pa kontrata u konstatuan në biznesin e sigurimeve fizike ndërsa nga dy punëtorë pa kontrata u konstatuan në një auto parking në Prishtinë dhe në biznesin e taksive.

Mospajisja e punëtoreve me kontrata pune dhe mos deklarimi i tyre janë shkelje e ligjit dhe janë të dënueshme sipas dispozitave të ligjit mbi Administratën Tatimore të Kosovës.

KALLXO.com inkurajon të gjithë ata të cilët nuk kanë kontrata pune të raportojnë në platformën tonë dhe në ATK.