FOTO - SkyNews-vaccine-covid-19-coronavirus

Coronavirusi - Vaksina mund të jetë gati jo më herët se në muajin shtator

Hulumtuesit e ndryshëm janë të gatshëm t`i fillojnë provat në njerëz në dyjavorin e ardhshëm me një ekip i cili tashmë i ka përvjelë duart në mënyrë që ta gjejë një vaksinë, shkruan kanali televiziv britanik, Sky News.

Sipas një profesori nga Oxford University, vaksina për COVID-19 mund të jetë e gatshme jo më herët se në muajin Shtator.

Sarah Gilbert, profesoreshë e vaksinologjisë thotë se ajo është 80% e bindur se një vaksinë kundër COVID-19 e zhvilluar nga ekipi i saj do të jetë funksional.

Ekipi i saj në Universitetin e Oksfordit është pjesë e përpjekjeve globale për të gjetur një vaksinë për coronavirusin, virus ky i cili deri më tani ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 100,000 njerëzve në mbarë botën, sipas Johns Hopkins University.

Sipas kësaj profesoreshe, ekipi i saj ka deklaruar se provat në njerëz për këtë vaksinë do të bëhen brenda këtij dyjavëshi dhe se ata punojnë shtatë ditë në javë për ta bërë funksionale këtë vaksinë.

Ajo ka deklaruar për gazetën “The Times” se ka gjasa të mëdha se kjo vaksinë do të jetë funksionale “bazuar në gjërat tjera që ne  kemi bërë me këtë lloj vaksine”.

Ajo beson shumë se kjo vaksinë do të jetë e suksesshme duke shtuar se koha e përcaktuar për në muajin shtator për zhvillimin e kësaj vaksine është optimale dhe shumë e mundshme nëse gjithçka shkon si duhet mirëpo në anën tjetër, askush nuk mund të garantojë 100% se mund të ketë sukses.

Më herët gjatë kësaj jave, hulumtuesit nga Universiteti i Southampton kanë deklaruar se virusi ka një “mburojë të ulët” që nënkupton se mund të jetë e lehtë që vaksina të zhvillohet.

Mirëpo, përkundër këtij optimizmi nga Universiteti i Oksfordit, institutet tjera që janë në kërkim të një vaksine kundër coronavirusit kanë deklaruar se gjetja e kësaj vaksine mund të marrë deri në një vit kohë.