Coronavirusi: Ushtria e Kosovës ngre gjendjen e gatishmërisë operacionale

Forca e Sigurisë së Kosovës bazuar në vendimin e Qeverisë dhe me urdhër të komandantit të FSK-së ka ngritur gjendjen e gatishmërisë operacionale në nivelin 2 dhe ka krijuar Forcën për Detyrë.

“Me njësitë e specializuara për të realizuar operacione në kuadër të Mbështetjes Ushtarake Autoriteteve Civile dhe ka vendosur në gatishmëri personelin, pajisjet dhe sistemet për të parandaluar dhe mbrojtur qytetarët e Republikës së Kosovës nga pandemia “COVID 19”, thuhet në njoftimin e Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së.

Po ashtu, në këtë njoftim kërkohet nga qytetarët që t’i ndjekin rregullat dhe të mos shkaktojnë panik.

“Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës udhëzon qytetarët e Republikës së Kosovës që të respektojnë të gjitha rregullat, kufizimet dhe udhëzimet e dhëna nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe apelojmë tek të gjithë që të rrisin masat e kujdesit por në asnjë moment mos të krijojmë frikë dhe panik”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, FSK siguron se do të jetë gjithmonë pranë qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për t’u dalë në ndihmë në çfarëdo situate’.

Në Kosovë aktualisht janë 15 raste të konfirmuara me coronavirus. Rastet e identifikuara me coronavirus vijnë nga qytetet: Vitia, Klina, Podujeva, Prizreni, Obiliqi.

Qeveria e Kosovës ka marrë një sërë masash, duke mbyllur shkollat, kufizuar stafin, duke mbyllur kafenetë dhe pubet, si dhe ka shpallur gjendje emergjente.

Qeveria shpall gjendje emergjente (Dokument)