Shpend Ahmeti, kryetar i komunës së Prishtinës

Coronavirusi, Shpend Ahmeti mbyll Qendrat për të Moshuarit

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmet, ka njoftuar se nga nesër Qendrat për të Moshuarit do të mbyllen si masë e parandalimit të coronavirusit.

Ai përmes një postimi në Facebook ka njoftuar që në ditët e ardhshme do të bëhet edhe dezinfektimi i autobusëve të Trafikut Urban.

“Prej sot fillojmë masat parandaluese për COVID19. Prej nesër do ti mbyllim përkohësisht Qendrat për të Moshuarit për shkak të rrezikut më të lartë nga virusi për të moshuarit.  Këto ditë do bëjmë dezinfektimin e autobusëve të Trafikut Urban.  Nesër do të shqyrtojmë edhe masa tjera” ka shkruar i pari i Prishtinës.

Ministria e Arsimit nuk ka urdhëruar ndërprerjen e mësimit në shkolla edhe pas alarmit të shpërndarjes së coronavirusit në vendet fqinje.

Raste të dyshuara me coronavirus janë raportuar në QKUK, por që deri më tani kanë rezultuar negative.