Ilustrim

Coronavirusi, SHBA-ja do të rekomandojë vendosjen e maskave

Shtëpia e Bardhë pritet së shpejti të këshillojë amerikanët që jetojnë në pikat e nxehta të coronavirusit që të vendosin maska​, rroba ose shalle në publik për të ndihmuar në ndalimin e përhapjes së coronavirusit, raporton BBC.

Presidenti Donald Trump tha se nuk mendon se kjo do të jetë e detyrushme, por se nëse njerëzit duan t’i vendosin, mund ta bëjnë.

Banorëve të Nju Jorkut, që është bërë epiqendra e shpërthimit të virusit në SHBA, u është kërkuar që të mbulojnë fytyrat e tyre në publik, por jo të përdorin maska ​​kirurgjikale.

Numri i të vdekurve në SHBA ka shkuar në të paktën 6 mijë persona.

Nju Jork është zona me goditjen më të keqe, me 1 mijë e 562 vdekje nga pandemia, raporton Universiteti Johns Hopkins, në raportet e tij të përditshme globale.

Të dy qendrat e SHBA-së për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) po rivlerësojnë udhëzimet e tyre për maskat e fytyrës, pasi ekspertët garojnë për të gjetur mënyra për të luftuar virusin ngjitës.

Përgatiti: Emirjeta Vllahiu