Moskë - Foto: REL/TASS

Coronavirusi, Rusia mbyll nesër të gjithë kufijtë

Rusia do të mbyllë nga nesër kufijtë e saj në përpjekje për të penguar përhapjen e coronavirusit, thotë një dekret qeveritar, raporton Reuters.

Kjo masë, e bërë publike të shtunën – ditën me numrin më të madh të të infektuarve me COVID-19 (228 brenda 24 orëve, nga gjithsej 1.264 raste), përfshin të gjitha automjetet, trenat dhe këmbësorët dhe do të zbatohet edhe në kufijtë detarë të vendit.

Diplomatët rusë dhe kamionët e transportit të mallrave mund të vazhdojnë të qarkullojnë.

Rusia tashmë ka pezulluar të gjitha lidhjet ajrore ndërkombëtare dhe ka njoftuar se në javën e ardhshme, nga 30 marsi deri më 5 prill, të gjithë punëtorët do ta kenë pushim, me përjashtim të atyre që punojnë në barnatore apo supermarkete.

Kryetari i Moskës Sergey Sobyanin ka publikuar një mesazh në internet, duke ftuar të gjithë banorët që të mbyllen në shtëpitë e tyre gjatë javës së ardhshme dhe të mos dalin përveç nevoje tepër të domosdoshme.