Coronavirusi - Për dy ditë afër 5 mijë litra dezinfektues të duarve kanë hyrë në Kosovë
Si masë parandaluese për përhapjen e coronavirusit, po rekomandohet pastrimi i duarve me dezinfektues pas çdo kontakti të mundshëm.
Pas konfirmimit të rasteve me coronavirus që nga 13 marsi, kërkesat e qytetarëve për t’u furnizuar me dezinfektues janë rritur. Të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë se për dy ditë në Kosovë kanë hyrë 4 mijë e 669 litra dezinfektues të duarve nga Turqia.
E që sipas zëdhënësit të Doganës, Adriatik Stavileci këto të hyra kapin vlerën 20 mijë euro.
Në anën tjetër, pas lajmërimit të coronavirusit edhe në Kosovë, të gjitha komunat pothuajse kanë bërë dezinfektimin e objekteve, rrugëve, trotuareve.
Ndërkaq, KALLXO.com sot gjatë ditës ka raportuar se Ministria e Shëndetësisë nuk ka blerë dezinfektues për duar.
Që nga 13 marsi deri më sot, në Kosovë janë shënuar 21 të prekur me coronavirus. Vendet me të shënuar me coronavirus janë; Vitia, Klina, Malisheva, Podujeva, Gjakova dhe Lipjani. Qeveria e Kosovës ka shpallur gjendje emergjente të shëndetit publik.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik po rekomandon vazhdimisht qytetarët që të pastrojnë duart sa më shpejtë dhe të kujdesen për higjienën personale. Gjithashtu, qytetarëve po u apelohet që të qëndrojnë në vendbanimet e tyre.
Në anën tjetër, në botë numri i të prekurve ka arritur në 246,773.
Sipas të dhënave të fundit, numri i personave të vdekur si pasojë e virusit corona ka shkuar në 10,062 kurse i atyre të shëruar në 88,488.Kina edhe më tutje mbetet shteti me më së shumti të prekur me coronavirus, gjithsej 80,967 por nga ana tjetër është shteti me më së shumti të shëruar nga ky virus, 71,150 persona.
Pas Kinës, shteti me më së shumti të prekur nga virusi corona është Italia. Numri i të prekurve në Itali ka shkuar në 41,035. Italia ia ka kaluar edhe Kinës për nga numri i personave të vdekur nga virusi corona. Në Itali, numri i të vdekurve ka shkuar në 3,405 përderisa në Kinë, edhe pse ka dyfish më shumë persona të prekur, ka vetëm 3,248 të vdekur.
Drenas, qytetari bleu miell me çmim të ngritur, inspektohet biznesi