Coronavirusi - Ministria e Shëndetësisë blen 11 mijë veshje mbrojtëse

Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar kontratë në vlerë prej 88 mijë eurove për pajisje me 11 mijë veshje mbrojtëse të madhësive të ndryshme për mbrojte nga coronavirusi.

Ministria e Shëndetësisë ka porositur 3 mijë veshje mbrojtëse për tërë trupin të madhësisë L, 4 mijë veshje mbrojtëse për tërë trupin të madhësisë XL dhe 4 mijë veshje mbrojtëse për tërë trupin të madhësisë XXL.

Kompania “Neramed & Genius Kosova” është fituese e tri loteve 2,3 dhe 4, për veshjet mbrojtëse, në një tender me 10 lote që është shpallur nga Ministria e Shëndetësisë.

Në Lotin e 2-të, për veshjet madhësisë L, është nënshkruar kontratë në vlerë 24 mijë euro, në Lotin e 3-të, për veshjet e madhësisë XL është nënshkruar kontratë në vlerë 32 mijë euro dhe në Lotin e 4-të, për veshjet e madhësisë XXL është nënshkruar kontratë në vlerë 32 mijë euro.

Më 17 mars, Ministria e Shëndetësisë ka shpallur tender për furnizim emergjent me pajisje dhe material shpenzues medicinal për mbrojtje nga coronavirusi me një procedurë të negocuar pa publikim të kontratës.

Tenderi i ndarë në 10 lote është nënshkruar me tri kompani të ndryshme, “Neramed & Genius Kosova”, “Made-Kos” dhe “Liri-Med”.

Vlera totale e kontratës së nënshkruar nga Ministria e Shëndetësisë është 351,065 euro.

Përveç veshjeve mbrojtëse, Ministria e Shëndetësisë ka blerë edhe maska respiratore, mburojë për fytyrë, çarçafa për një përdorim dhe syze mbrojtëse.

Ndërsa nuk ka blerë dezinfektues, termometër infra të kuq për ballë dhe qese për kufoma.

Lotet për blerjen e dezinfektuesve, termometërve infra të kuq për ballë, respektivisht lotet 6 dhe 7 janë anuluar për shkak të tejkalimit substancial të buxhetit. Ndërsa Loti 10, për blerjen e qeseve të kufomave është anuluar për shkak të mungesës së ofertuesve.

Që nga 13 marsi deri më sot, në Kosovë janë shënuar 21 të prekur me coronavirus. Ndërsa në botë numri i të prekurve ka arritur në 246,773. Sipas të dhënave të fundit, numri i personave të vdekur si pasojë e virusit corona ka shkuar në 10,062 kurse i atyre të shëruar në 88,488.

Kina edhe më tutje mbetet shteti me më së shumti të prekur me coronavirus, gjithsej 80,967 por nga ana tjetër është shteti me më së shumti të shëruar nga ky virus, 71,150 persona.

Pas Kinës, shteti me më së shumti të prekur nga virusi corona është Italia. Numri i të prekurve në Itali ka shkuar në 41,035. Italia ia ka kaluar edhe Kinës për nga numri i personave të vdekur nga virusi corona. Në Itali, numri i të vdekurve ka shkuar në 3,405 përderisa në Kinë, edhe pse ka dyfish më shumë persona të prekur, ka vetëm 3,248 të vdekur.