Coronavirusi, Kosova nuk do ta ndërprejë mësimin në shkolla

Ministria e Arsimit nuk ka urdhëruar ndërprerjen e mësimit në shkolla edhe pas alarmit të shpërndarjes së coronavirusit.

Derisa në Kosovë nuk është regjistruar ende asnjë rast i prekur me këtë virus, Ministria e Arsimit ka rekomanduar rritjen e kujdesit sa i përket kushteve higjienike në shkolla.

Lidhur me masat për mbrojtjen e coronavirusit, në MASHTI u mblodhën sot drejtorët e drejtorive komunale për arsim si dhe përfaqësues të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

“Nuk ka hapësirë për panik, por ne si instucione duhet të rrisim vetëdijen sa i përket mirëmbajtjes së higjienës që të mos kemi raste. Nuk ka rekomandim për ndërpreje të mesimit”, tha Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami.

Naser Ramadani, Drejtor I IKPSHK-së tha se rekomandimi i tyre ka qenë të mos ndërprehet mësimi.

“Duke pasur parasysh që s’ka rast të coronovarisit s’ka asnjë nevojë të mbyllen shkolla. Nëse paraqitet ndonjë rast, do të marrim masa”, tha Ramadani.

Deri më tani me virus vdekjeprurës llogaritet të jenë prekur mbi 116 mijë persona nëpër botë ndërsa të vdekur janë 4 mijë e 89 persona.

Raste të virusit janë raportuar edhe në vendet fqinje të Kosovës përfshirë Shqipërinë, ndërsa deri më tani nuk ka raste të raportuara në Kosovë.