Foto: BBC

Coronavirusi: Klinika Infektive sot pret rezultate për 15 teste

Instituti i Shëndetit Publik deri më tani është duke kryer 15  analiza pas mostrave të marra nga 15 persona pasi që të njëtit kishin simptoma të infektimit me virusin COVID-19.

Kështu ka konfirmuar për KALLXO.com, Infektologu, Salih Ahmeti.

“Sot në ambulancë janë pranuar 11 persona por të njëjtit janë liruar pasi që nuk kanë pasur ndonjë simptomë serioze e cila lidhej me virusin corona. Tetë janë në vëzhgim, 14 janë në trajtim pra janë raste të konfirmuara. E sot të paktën 15 analiza priten të konfirmohen nëse ka apo jo raste të reja për coronavirus. Është problem me e ditë saktë sa persona po vijnë sepse po ka paraqitje të shumta të personave që po vijnë në ambulanca”, tha Ahmeti për KALLXO.com.

Deri më tani në Kosovë janë konfirmuar 21 raste të personave të infektuar me coronavirus.

Në Kosovë është shpallur gjendje emergjente në shëndetësinë publike.

Në anën tjetër ende nuk dihet se kur do të shkojë dekreti i Presidentit Thaçi në Kuvendin e Kosovës për të shpallur gjendje të jashtëzakonshme.

KALLXO.com vazhdimisht po raporton për rastet e dyshuara dhe të konfirmuara me coronavirus.