Coronavirusi, Izraeli do të izolohet plotësisht për 3 javë

Pas rritjes së madhe të numrit të të infektuarve me COVID-19, Qeveria e Izraelit ka vendosur të dielën në mbrëmje që vendi të mbyllet përsëri në tërësi si masë për parandalimin e përhapjes së coronavirusit.

Sipas vendimit të Qeverisë, mbyllja do të nisë të premten dhe do të zgjasë së paku 3 javë, me mundësi vazhdimi.

“Sot, Qeveria ka vendosur të zbatojë një mbyllje të plotë trejavore me mundësi të zgjatjes së kësaj mase”, ka deklaruar kryeministri Benjamin Netanyahu gjatë një fjalimi televiziv raporton AFP.

Sipas të dhënave të mbledhura nga agjencia AFP, Izraeli është vendi i dytë në botë që ka regjistruar më së shumti raste me coronavirusin e ri në raport me numrin e banorëve, pas Bahrejnit.

Izraeli ka regjistruar 155.604 raste të të infektuarve me COVID-19 dhe prej tyre 1.119 kanë vdekur.