Coronavirusi, institucionet kulturore anulojnë shfaqjet

Institucionet kulturore kanë anuluar të gjitha shfaqjet teatrore, të baletit, koncertet, ekspozitat dhe aktivitetet tjera të cilat shfaqen për publikun, në bazë të vendimit të Qeverisë për masat parandaluese kundër coronavirusit të marra një ditë më parë.

Feim Maliqaj, ushtrues i detyrës së drejtorit të Teatrit Kombëtar ka thënë në një prononcim për KALLXO.com se TKK  do t’i anulojnë aktivitetet me publikun, rrjedhimisht, sipas tij, i duhet të anulojë dhe shfaqjet.

“Sikur të kishim ndonjë aktivitet që do të transmetohej live në ndonjë TV atëherë kjo do të ishte situatë tjetër, me qenë se të gjitha shfaqjet bëhen për publikut dhe në prani të publikut, atëherë kjo d.m.th të gjitha shfaqjet anulohen”, ka thënë ai.

Shfaqjet janë anuluar edhe nga Baleti Kombëtar i Kosovës.

Kreshnik Musolli, ushtrues i detyrës së drejtorit të këtij institucioni ka konfirmuar për KALLXO.com se ky institucion ka anuluar repertorin gjatë këtij muaji, por edhe aktivitetet ditore deri sa të bëhet dezinfektimi i Sallës së Baletit dhe komplet objektit të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

“Baleti Kombëtar i Kosovës ka anuluar  shfaqjen ‘Pushimi i Kalorësve’, si dhe aktivitetet e përditshme pezullohen deri sa të bëhet dezinfektimi i Sallës së Baletit dhe komplet objektit të Teatrit Kombëtar të Kosovës”, ka thënë ai.

Shfaqjet janë anuluar edhe nga Teatri i Gjilanit.

Përmes një njoftimi në Facebook, menaxhmenti i këtij teatri njofton se pas vendimit të qeverisë ky teatër anulon të gjitha shfaqjet e parapara për muajin mars.

“Bazuar në vendimin e Qeverisë së Kosovës të datës 11.03.2020 për parandalimin e përhapjes së Virusit Covid – 19, i njohur si Corona Virus, Teatri i Qytetit të Gjilanit, në përputhje të plotë me këtë vendim, njofton publikun e gjerë se anulohen të gjitha shfaqjet e parapara sipas kalendarit / programit të muajit Mars 20200”, thuhet në njoftimin e Teatrit të Gjilanit.

Koncertet i ka anuluar edhe Filharmonia e Kosovës.

Tashmë është konfirmuar nga ky institucione se koncerti i planifikuat të mbahet më 29 mars në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë nga Kuarteti italian “Quartetto di Cremona”, është anuluar për shkak të  e virusit COVID-19.

Qeveria e Kosovës vendosi marrjen e një sërë masash shtrënguese për shkaka të rrezikut nga coronavirusi dhe shpallen si endemi nga OBSH-ja, duke vendosur që  të gjitha aktivitete publike dhe jo publike duhet të zhvillohen pa publik.

“Aktivitetet publike dhe jopublike mund të zhvillohen të mbyllura/pa praninë e publikut si: ngjarje/tubime sportive, tubime, koncerte, konferenca, tryeza të rrumbullakëta deri në një vendim tjetër;”, thuhet në pikën 5 të vendimi të Qeverisë për  masat e reja të Qeverisë së Kosovës lidhur me COVID-19.

Ky vendim automatikisht pamundëson mbajtjen e shfaqjeve teatrale, koncerteve, shfaqjes së filmave, manifestimeve letrare, etj.