Coronavirusi - fillon pastrimi i rrugëve në Drenas
Si masë shtesë mbrojtëse për të parandaluar përhapjen e coronavirusit, Komuna e Drenasit ka njoftuar se është bërë pastrimi e rrugëve në Drenas.
“Ne të tjerët i ndihmojmë duke u kujdesur për mjedisin ku jetojmë. Komuna e Drenasit falënderon ekipin e KRM “Pastrimi” për angazhimin dhe kujdesin e shtuar gjatë këtyre ditëve. Vetëm kështu mund të ndihmojmë që të mbrojmë vetën dhe të tjetër”, thuhet në njoftimin e tyre në rrjetin social “Facebook”.
Më tej, kanë shtuar se së bashku mund të tejkalojë kjo sfidë, duke reduktuar lëvizjet që nuk janë të domosdoshme dhe duke qëndruar sa më shumë në shtëpi.
KALLXO.com ka raportuar sot se edhe disa qytete të tjera në vend kanë pastruar rrugët.
Deri më tani në Kosovë janë identifikuar 16 persona të prekur me virusin COVID-19. Qytetet si Vitia, Malisheva, Podujeva dhe Klina janë në karantinë pasi në këto qytete u identifikuan disa të prekur me virus.
Ndërkaq, tre persona të prekur me coronavirus janë identifikuar në Aeroportin e Prishtinës pasi erdhën nga Londra.
Qeveria e Kosovës ditë më parë ka shpallur gjendjen emergjente pas situatës me rrezikun e shpërndarjes së këtij virusi.
Momentalisht në botë numërohen mbi 180 mijë të infektuar me këtë virus, dhe mbi 7 mijë kanë vdekur.
Vendet më të prekura në botë nga virusi janë Kina dhe Italia.