Dogana e Kosovës - Foto: Rtv21

Coronavirusi: Dogana e Kosovës nuk ndal importet nga Kina, bie numri i blerjeve online

Zyrtarët e Doganës së Kosovës janë pajisur me mjete mbrojtëse pas paralajmërimeve për përhapjen e rrezikshme të virusit nga Kina.

Zëdhënës i Doganës, Adriatik Stavileci ka treguar për KALLXO.com se deri tani nuk ka urdhër për ndalim të importit.

“ Të gjithë oficerët tanë i kemi pajisur me paisje mbrojtëse. Në momentin që marrim urdhër apo udhëzim për ndalim ne e zbatojmë”, tha Stavileci.

Stavileci tutje tregon se blerjet online kanë shënuar rënie për 30%.

“Blerjet online që janë në Kinë kanë ra  30%, do të thotë e kanë nalë blerjen”, shtoi ai.

KALLXO.com ka kontaktuar Institutin e Shëndetësisë Publike të Kosovës, në lidhje me rrezikun e vendit nga ky virus, edhe IKShPK  ka marrë masa parandaluese për udhëtarët.

Megjithatë, masa të tjera do të marrin ndaj udhëtarëve që hyjnë në Kosovë.

Era Pireva, zyrtare për informim në Institutin e Shëndetësisë të Kosovës tregoi se kontrollave do tu nënshtrohen udhëtarët që hyjnë në Kosovë.

“Do të bëhet skriningu i temperaturës së udhëtarëve që arrijnë në aeroportin e Prishtinës, kontrolli mjekësorë i udhëtarëve të cilët kanë këto simptoma: ethe dhe simptoma të traktit respiratorë(kollë, vështërsi në frymëmarrje)”, tha Pireva.

Ajo gjithashtu rekomandon mbajtjen e higjenese personale, për udhëtarët.

“Larja e shpeshtë e duarve, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejt me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimn e tyre”, u shpreh ajo.

IKShPK është kujdesur që udhëtarët t’ i vetëdijësojë edhe përmes mesazheve postare, fletëpalosjeve dhe komunikimeve direkte.

“Shpërndarja e mesazheve të komunikimit të rrezikut në aeroport, kjo është bërë përmes posterave, fletëpalosjeve dhe komunikimit direkt, duke synuar rritjen e vetëdijes së udhëtarëve përshenjat dhe simptomat e sëmundjes, dhe inkurajimin që të kërkojnë ndihmë mjekësore menjëherë dhe raportimin e historisë së tyre të udhëtimit”, tha Pireva.

Sa i përket importimeve të produkteve nga Kina, sipas IKShPK-së nuk paraqesin rrezik.

Koronovirusi javë më parë ka filluar të shpërndahet me të madhe në Kinë, ku la të vdekur qindra persona.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpalur emergjencë globale shpërndarjen e Coronavirusit.