Ilustrim

Coronavirusi arrin në Bosnje e Hercegovinë

Bosnjë dhe Hercegovina ka konfirmuar rastin e saj të parë me coronavirusin e ri, raportoi të enjten televizioni i Republikës Serbe, duke cituar ministrinë e Shëndetësisë.

Nuk janë dhënë detaje mbi personin e infektuar.

Ministria e Shëndetësisë ka paralajmëruar një konferencë për media të enjten.

Shteti i Kalifornisë në SHBA ka shpallur një gjendje të jashtëzakonshme, pasi u njoftua vdekja e parë nga koronavirusi i ri.

Deri më 5 mars, në të gjithë SHBA-në janë shënuar 11 vdekje.

Viktima është një burrë 71-vjeçar, i cili kishte qenë në një anije, thanë zyrtarët.

Tani, në 16 shtete të SHBA-së, janë të paktën 150 pacientë të raportuar si pozitivë me coronavirusin e ri.

Në të gjithë botën, autoritetet kanë konfirmuar më shumë se 92,000 raste të virusit, nga të cilat më shumë se 80,000 janë në Kinë. Në të gjithë botën, më shumë se 3000 njerëz kanë vdekur, shumica dërrmuese në Kinë.

Dhjetë nga 11 vdekjet në SHBA kanë ndodhur në shtetin Uashington, por një shpërthim të virusit ka pasur edhe në Teksas dhe Nebraska.

Ndërkohë Uashingtoni dhe Florida shpallën gjendje të jashtëzakonshme gjatë fundjavës për të ndihmuar në parandalimin e përhapjes së virusit.

Qeveria amerikane aktualisht ndalon hyrjen e shtetasve të huaj që kanë vizituar Kinën gjatë 14 ditëve të kaluara.

Nënpresidenti i SHBA-së, Mike Pence, tha të mërkurën se çdo amerikan mund të testohet për coronavirus, nëse urdhërohet nga mjekët.

Për më tepër, Qendrat e SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve njoftoi se do të tërheqë kufizimet ekzistuese në testim dhe do të paraqesë udhëzime të reja për të shpejtuar testimin për ata që kanë frikë se janë të infektuar.

Por ende ekzistojnë pikëpyetje se si do të mbahet ky premtim, pasi laboratorët e shëndetit publik këmbëngulin se aftësia e tyre për përpunimin e testeve është e kufizuar, shkruan BBC.

Ekziston edhe çështja e kostos, pas raportimeve se amerikanëve që nuk kanë sigurim shëndetësor u duhet të paguajnë lart 1,000 dollarë për një analizë. Dhoma e Përfaqësuesve e SHBA-së miratoi 8.3 miliardë dollarë ndihmë urgjente për të luftuar coronavirusin.

Vendi më i goditur jashtë Kinës është Koreja e Jugut, e cila raportoi 516 infeksione të reja të konfirmuara të mërkurën, duke e çuar në 5,766 numrin e përgjithshëm.

Numri i të vdekurve në këtë vend është 35.

Australia ndërkohë ka ndaluar hyrjen për të gjithë shtetasit e huaj nga Koreja e Jugut. Dy njerëz kanë vdekur nga coronavirusi në Australi, dhe 53 të tjerë janë raportuar si të infektuar.

Ndërkohë, Kina ka raportuar 139 raste të reja dhe 31 vdekje, të gjitha në provincën Hubei, ku ndodhet edhe epiqendra e virusit.

Shkollat janë mbyllur për të paktën 10 ditë në Itali, e cila po lufton me shpërthimin më të madh jashtë Azisë.

Të enjten, Fondi Monetar Ndërkombëtar njoftoi se ka ndarë 50 miliardë dollarë për të mbështetur vendet e goditura nga coronavirusi. /REL