Philip Kosnett - Ambasador i ShBA-së në Kosovë

Coronavirusi - Ambasadori amerikan u bashkohet duartrokitjeve për stafin mjekësor

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett e ka përshëndetur punën e mjekëve kosovarë, gjatë menaxhimit të gjendjes për shkak të coronavirusit.

“I bashkohem duartrokitjeve për profesionistët mjekësorë të Kosovës, nga ministri i Shëndetësisë, deri tek punonjësit shëndetësorë në vijën e frontit, të cilët po përballen me sfidën për t’u kujdesur për ata në nevojë dhe për ta mbajtur vendin të edukuar dhe të informuar”, ka shkruar ambasadori në Twitter.

Deri më tani në Kosovë janë identifikuar 19 persona të prekur me virusin COVID-19.

Qytetet si Vitia, Malisheva, Podujeva dhe Klina janë në karantinë pasi në këto qytete u identifikuan disa të prekur me virus.

Ndërkaq, tre persona të prekur me coronavirus janë identifikuar në Aeroportin e Prishtinës pasi erdhën nga Londra.

Qeveria e Kosovës ditë më parë ka shpallur gjendjen emergjente pas situatës me rrezikun e shpërndarjes së këtij virusi.

Momentalisht në botë numërohen mbi 180 mijë të infektuar me këtë virus, dhe mbi 7 mijë kanë vdekur.

Vendet më të prekura në botë nga virusi janë Kina dhe Italia.