Coronavirus: Mbyllen të gjitha parqet në mbarë Kosovën

Nesër, nga ora 08:00 deri në ora 20:00, do të mbyllën të gjitha parqet në tërë territorin e Kosovës.

Kështu ka njoftuar Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike.

“Grupi Ndërinstitucional për Menaxhimin e Incidenteve ka marr vendim që të gjitha parqet  nëpër të gjitha komunat  e Republikës së Kosovës do të mbyllen nga ora 08:00 deri në ora 20:00. Policia e Kosovës do të jetë në të gjitha pikat ku janë parqet dhe nuk do të lejojë asnjë qytetarë që t’i frekuentojnë”, thuhet në njoftim.

“Kërkojmë mirëkuptim nga të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që të respektojnë vendimet e organeve të Institucioneve të Republikës së Kosovës, sepse ato po bëhen me qëllim të ruajtjes së shëndetit tuaj dhe të familjes tuaj. Po ashtu ftojmë të gjithë qytetarët e Republikës që gjatë daljeve publike, të mbajnë distancën sociale me njëri-tjetrin”, thuhet në njoftim.

Në njoftim gjithashtu është thënë që marketet të cilat punojnë duhet të marrin masa për njoftime shtesë ndaj coronavirusit.

“Po ashtu obligohen që nga nesër të gjitha marketet dhe dyqanet që janë të lejuara të punojnë, që të vendosin shenjat për mbajtjen e distancës prej një metër”, thuhet në njoftim.

“Gjithashtu nga nesër në të gjitha lokalet do të ndalohet shërbimi i kafes si brenda ashtu edhe për t’i marrë me vete (Take Away), pavarësisht llojit të  shërbimit primarë”, njofton ministria.

“Ju lutem që t’i ndiqni këto udhëzime sepse këto po bëhen për të mirë tuaj, sepse vetëm  kështu do t’i ndihmoni edhe institucionet e shtetit që bashkërisht t’ia dalim edhe kësaj sfide. Ju ftojmë që të kontribuoni duke Qëndruar në Shtëpi, për të mos i humbur mundin, mjekut, policit, ushtarëve të FSK-së, doganiereve, ekipeve emergjente dhe të gjithë atyre që po japin kontribut për të tejkaluar këtë situatë”, thuhet në njoftim.

Të gjitha këto vendime hyjnë në fuqi nga nesër prej orës 08:00.