CoronaBiznes, ATK njofton se ka pranuar 228 thirrje deri më tani për rritje të çmimeve

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se deri më tani ka pranuar 228 thirrje nga qytetarët, në numrin që e kanë vënë në dispozicion, për të pranuar raportimet për keqpërdorime të çmimeve.

ATK-ja ka thënë se raportimet kryesisht kanë qenë për markete dhe barnatore.

“Sot nga ora 10:00 deri më tani përmes linjës pa-pagës 0800 80 800 kemi pranuar 228 thirrje nga qytetarët, të cilët kanë raportuar rritje të çmimeve,  kryesisht tek markete dhe farmacit, të njëjta janë adresuar tek inspektorët tatimor për trajtim ligjor”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

Sipas njoftimit, për arsye të ngarkesës së madhe të thirrjeve nga qytetarët, në linjën pa pagesë, ATK-ja ka mundësuar linjën tjetër për raportim: 038 222 165, por që kjo linjë është me pagesë.

Në anën tjetër, Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi gjatë takimit me stafin e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), ka njoftuar se ka kërkuar nga bizneset që menjëherë të kthejnë çmimin paraprak të produkteve.

Gjithashtu, Bislimi tha se ka kërkuar nga dikasteri që drejton, ATK dhe nga Dogana e Kosovës që të implementojnë vendimin që njëri prindër të qëndrojnë në shtëpi përgjatë këtyre dy javëve.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës: Mbyllen shkollat deri më 27 mars