Promovimi i tri monografive për mësimin shqip në Zvicër. Foto: KALLXO.com

Copëza të arsimit shqip në Zvicër, botohen tri monografi në Kosovë

Në shërbim të ruajtjes së gjuhës dhe kulturës shqipe në diasporë, janë botuar tre libra monografik për mësimin shqip nëpër kantonet e Zvicrës.

Të tri monografitë janë shkruar dhe përmbledhur nga tre mësimdhënës në shkollat plotësuese në gjuhën shqipe, që veprojnë dhe punojnë në Zvicër.

Autorët e librave Agim Paçarizi, Nexhat Maloku dhe Hamëz Morina të premten përmes promovimit i sollën këto libra në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës. Të tretë bënë thirrje që këta libra të mos jenë të fundit për arsimin në diasporë, e në të njëjtën kohë apeluan për mbështetje institucionale, që vlerësohet që jetë e pakët dhe e mangët.

Recensionisti i tri monografive, Nuhi Gashi, duke dhënë vlerësimet për librat, vuri në pah vështirësitë me të cilat ndeshet arsimi në gjuhën shqipe në Zvicër, dhe jo vetëm.

“Këta libra sjellin të dhëna të panumërta e interesante e përpjekje të patriotëve për një hulumtim të shëndetshëm e të mbarë të komunitetit shqiptarë në Zvicër, e veçmas të subjekteve të shkollës shqipe, gjitnjë ngah zhvillimi, bashkëpunimi dhe kërkesa e vazhdueshme për ndihmë institucionale”, tha Gashi.

Gashi theksoi faktin që në Zvicër ka shumë shqiptarë, ndërsa ka shumë pak fëmijë që shkojnë në shkolla plotësuese në gjuhën shqipe.

“Tashmë një Shqipëri e dytë po krijohet në diasporë,” tha ai, duke riproblematizuar që “për fatin tonë të zi po vazhdon lëvizja demografike për në botën bashkëkohore”.

Hamëz Morina, autor i librit “Mësimi shqip në Kantonin e Aargaut – Zvicër”, tha që ky libër i thjeshtë monografik nuk është vetëm libri i tij, por i të gjithë kolegëve të tij që për tri dekada kanë dhënë mësim për shqiptarët.

“Atyre i dedikohet ky libër, edhe ma tepër është punë e tyre. Puna ime është vetëm strukturim, me motiv që puna për tri dekada mos të mbes huq në arkiva të pasistemuara, po diku në një libër të thjeshtë, që i shërben nipave dhe mbesave dhe studiuesve”, tha ai.

Ndërsa, autori i librit “Shkolla shqipe në Gjenevë”, Agim Paçarizi, tha që ky kanton më shumë se asnjë tjetër i ka përkrahur për mësimin plotësues në gjuhën shqipe.

“Diku në libër gjendet edhe një fakt që, deputetët në Parlamentin e Gjenevës kanë ngritur një mocion për të ndihmuar shkollën shqipe, se ne ende thirreshim që ende nuk e kemi shtetin tonë”, tregoi ai.

Nexhat Maloku, autor i librit “30 vjet shkollë shqipe e mësimit plotësues në Zvicër 1990-2020” kërkoi që institucionet e Kosovës të i ndihmojnë që mos të harrohet identiteti shqiptar në diasporë.

“Ndoshta në një ditë të bukur do të kemi më shumë nga institucionet tona. Ky libër është një mësim që përpos forcimit të identitetit shqiptar, ndikon edhe në integrimim sa më pozitiv në shpqërinë zvicerane”, tha ai.

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku u shpreh i kënaqur që më shumë se 20 vjet pas luftës, këto botime janë më të rëndësishmet për Bibliotekën.

“Nuk e di që ka pasur promovim më thelbësor më kontributdhënës për Bibliotekën Kombëtare të Kosovës”, vlerësoi ai.