Copa e mishit ia bllokoi rrugët e frymëmarrjes, mjekët e QKUK-së i shpëtojnë jetën 64-vjeçarit

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës njofton se një pacienti 64-vjeçar i është shpëtuar jeta nga ekipi kujdestar e Klinikës së Pulmologjisë.

Sipas njoftimit, 64-vjeçari kishte gëlltitur një copë mishi që më pas ia kishte bllokuar rrugët e frymëmarrjes.

“Një pacienti 64 vjeçar, ekipi kujdestare e Klinikës së Pulmologjisë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, i ka shpëtuar jetën, pasi të njëjtit një copë e mishit pas gëlltitjes ia kishte bllokuar rrugët e frymëmarrjes”- thuhet në njoftim.

SHSKUK thotë se procedura për të larguar copën e mishit kishte qenë e lehtë.

“Përmes intervenimit me Bronkoskop, pacientit menjëherë i largohet copa e mishit, si “trup i huaj”. Kjo copë e mishit ishte aspiruar gjatë ngrënies. Procedura u perballua lehtë dhe u krye në mënyrë profesionale”- bëhet e ditur në njoftim.

Më tej, SHSKUK thekson se pacienti u kursye nga intervenimet me të rënda dhe tani gëzon shëndet të plotë.