Connolly: Çështjet e pazgjidhura mes Prishtinës dhe Beogradit e pengojnë integrimin e rajonit

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Gerald E.Connolly ka thënë se mosmarrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë janë duke penguar rajonin që të integrohet.

Në adresimin e tij në seminarin Rose Roth, Connolly vlerësoi se duhet ende përkushtim drejt integrimit euroatlantik.

“Çështjet e pazgjidhura mes Beogradit dhe Prishtinës e pengojnë rajonin që të shkojë drejt integrimit. Shtetet demokratike duhet të vazhdojnë me punën për stabilizim në rajon. Për Ballkanin Perëndimor rruga e demokracisë është sikurse ajo drejt integrimit euroatlantik qe kërkon përkushtim” – tha ai.

Seminari i 102-të Rose-Roth organizohet në bashkëpunim me Kuvendin e Kosovës, nën udhëheqjen e kryetarit të Delegacionit të Kuvendit të Kosovës në AP të NATO-s, deputetit Driton Hyseni, si dhe me përkrahjen e Qeverisë zvicerane e të Qendrës së Gjenevës për Qeverisje të Sektorit të Sigurisë (DCAF), së bashku me Komisionin për Ekonomi dhe Siguri.

Qëllimi kryesor i Seminareve Rose-Roth është lehtësimi i dialogut që lidhet me çështjet e sigurisë rajonale, në mesin e ligjvënësve të NATO-s dhe vendeve partnere.