CNN: Kush ishte lideri politik i ‘Hamasit’, i vrarë në Teheran?
Ismail Haniyeh ishte pjesë e “Hamasit” për dekada me radhë. Viteve të fundit nga azili i drejtoi operacionet politike të grupit, dhe u shfaq si njëri prej liderëve më të ekspozuar gjatë luftës me Izraelin në Gazë, përshkruan media amerikane CNN në profilin për Haniyeh.
“Hamasi” dhe mediat shtetërore kanë raportuar më 31.07.2024 se 62-vjeçari është vrarë në kryeqytetin iranian, Teheran. “Hamasi” pretendon se Haniyeh u vra nga një “sulm ajror” izraelit në rezidencën e tij, derisa ushtria izraelite ka refuzuar të komentojë kur është kontaktuar nga CNN-i.
Vdekja e Haniyeh thuhet më tej se do të jetë një goditje e fortë për “Hamasin” në kohën kur tensionet po vlojnë në mbarë Lindjen e Mesme për shkak të luftës shkatërrimtare në Gazë dhe ngrit shqetësimin për dështimin e negociatave të ardhshme ndërmjet Izraelit dhe “Hamasit”.
Si lideri politik i “Hamasit”, ai ishte ndërlidhësi kyç me ndërmjetësuesit ndërkombëtarë gjatë bisedimeve të ngecura për lirimin e pengjeve dhe për marrëveshje armëpushimi ndërmjet Izraelit dhe “Hamasit” pas grupi palestinez sulmoi Izraelin më 07.10.2023.
Haniyeh u lind në një kamp refugjatësh në Qytetin e Gazës, dhe iu bashkua radhëve të “Hamasit” në fund të viteve 80 gjatë Intifadës së Parë, ose kryengritjes sikur njihet në gjuhën arabe.
Prindërit i ishin dëbuar nga Askalani, që më vonë do të bëhej i njohur si qyteti izraelit Ashkelon.
Ngritja e Haniyeh-it në radhët e “Hamasit”
Ai ishte burgosur disa herë në Izrael për pjesëmarrje në kryengritje para se të dëbohej dhe të kthehej në Gazë – ku ai ngadalë do të ngrihej në radhët e “Hamasit” në dekadën pasuese.
Haniyeh do të bëhej pjesë e “lidershipit kolektiv” sekret më 2004 pas vdekjes së dy liderëve të mëhershëm të “Hamasit”, sheikut Ahmed Yassin dhe Abdel Aziz Rantisit, të cilët ishin vrarë në sulme ajrore izraelite ndaras brenda disa javëve.
Pasi “Hamasi” do t’i fitonte zgjedhjet për Këshillin Legjislativ Palestinez më 2006, Haniyeh u bë kryeministër i qeverisë së Autoritetit Palestinez (PA), por pati mandat të shkurtër. Ai u shkarkua pas një viti në krye të qeverisë nga presidenti i PA-së, Mahmoud Abbas dhe vazhdon të mbetet kryeministri i vetëm i PA-së që mori mandatin pas sigurimit të legjitimitetit pas zgjedhjeve popullore.
Megjithëse njihet gjerësisht si lideri i “Hamasit” në Gazë për vite me radhë. Haniyeh nuk u bë lider i përgjithshëm politik deri më 2017, kur e mori timonin nga Khaled Meshaal, i cili nga ekzili i kishte prirë “Hamasit” që nga viti 2004.
Një vit më vonë, Haniyeh do të konsiderohej “terrorist global specifikisht i përcaktuar” prej Shteteve të Bashkuara të Amerikës – gjë që ndodhi gjatë kohës së tensionit ndërmjet Uashingtonit dhe palestinezëve për shkak të vendimit për ta pranuar Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, një vendim i presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.
Pavarësisht atij kategorizimi – dhe ndryshe prej lidershipit ushtarak të “Hamasit” – Haniyeh udhëtoi botërisht, duke u takuar me figura të njohura botërore, si lider politik i organizatës. Ai u fotografua duke takuar presidentin iranian, Masoud Pezeshkian, të martën në Teheran.
Bisedimet për armëpushim dhe këmbimin e pengjeve
Sulmi i befasishëm i “Hamasit” më 07.10.2023 me së paku 1.500 luftëtarë që vërshuan kufirin dhe hynë në Izrael, rezultoi me vrasjen e së paku 1.200 personave dhe mbi 200 pengjeve.
Sulmet ajrore izraelite prej atëherë kanë lënë më shumë se 39 mijë palestinezë të vdekur, ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë e Gazës dhe shkaktuan katastrofë në rripin e stër-populluar palestinez.
Në muajt pasues, Haniyeh ka qenë figura kryesore që merrte pjesë në negociatat ndërkombëtare lidhur me konfliktin, përfshirë ato për lirimin e pengjeve që ende mbahen në Gazë.
Ai ka treguar gatishmëri për të arritur një ujdi nëse izraelitët tërhiqen nga Gaza – duke theksuar në maj se grupi ende kishte vullnet për të arritur marrëveshje me ndërmjetësuesit, porse çfarëdo propozimi do të duhej të përfshinte armëpushimin e përhershëm të luftimeve në enklavën palestineze.
Atëherë, ai thoshte se kërkesat e “Hamasit” synonin të ndalonin çdo “agresion kundër popullit tonë, që është qëndrim thelbësor dhe logjik që shtron themelin për të ardhme më stabile”.
Si kundërpërgjigje, Izraeli i ka quajtur “të papranueshme” kërkesat palestineze, me kryeministrin Benjamin Netanyahu që u zotua t’i vazhdonte luftimet derisa të shkatërrohet “Hamasi” – duke i lënë negociatat në qorrsokak derisa dy palët fajësojnë njëra-tjetrën.
Në fillim të korrikut, Haniyeh ishte në kontakt me ndërmjetësuesit në Katar dhe Egjipt për t’i diskutuar idetë për t’i dhënë fund luftës, duke ngjallur një fije shprese se dy palët mund të arrinin një marrëveshje kornizë.
“Pasojat e vrasjes”
Duke pasur parasysh rolin e tij në negociata, vdekja e Haniyeh “do të ketë ndikim të rëndësishëm në ato negociata”, ka thënë analisti i CNN-it për politikë të jashtme, Barak Ravid.
Gjatë luftës, Haniyeh kishte vazhduar të takohej edhe me liderë dhe zyrtarë të tjerë botërorë – përfshirë diplomatin kinez, Vang Kejian, i cili e takoi Haniyehun në Katar në mars, ku diskutuan për luftën në Gazë.
Haniyeh e kishte ndjerë edhe në lëkurën e tij luftën në Gazë. Në prill, policia izraelite arrestoi njërën prej motrave të tij me akuzën për komunikimin me anëtarë të lëvizjes. Nëntë ditë më vonë, bombardimet ajrore lanë të vdekur tre vëllezërit e tij dhe katër nipa e mbesa.
Pas sulmeve, Haniyeh ngulmonte në të tijën se vdekja e tyre nuk do të ndikonte negociatat e armëpushimit dhe të pengjeve.
“Kushdo që mendon se duke sulmuar fëmijët e mi gjatë kohës së bisedimeve negociatore dhe para një ujdie do ta detyrojë ‘Hamasin’ të tërhiqet nga kërkesat e veta, vetëm mashtrohet”- deklaronte ai.
Atëherë, Haniyeh po qëndronte në Katar, që nuk është vend nënshkrues i Statutit të Romës, për të pasur juridiksion të Gjykatës Ndërkombëtare Penale.
Përgatiti: Rexhep Maloku