Foto: REL

CNN: Biden afër të fitojë 270 votat elektorale, Trump ende në garë

I nominuari demokrat për president Joe Biden kryeson garën për Shtëpinë e Bardhë me 253 vota elektorale. Presidenti Donald Trump, ndërkaq, ka 213 vota elektorale.

Sipas analistit të CNN, John King, nëse Biden ruan epërsinë  dhe fiton në Nevada dhe Arizona, ai do të sigurojë 270 votat elektorale të nevojshme për të fituar zgjedhjet për president të Shteteve të Bashkuara.

Pra, sipas CNN, fati i zgjedhjeve mund të përcaktohet nga rezultati në këto dy shtete.

Përderisa në Nevada dhe Arizona ende nuk ka përfunduar gjithçka, presidenti aktual, Donald Trump, ende e ka të hapur mundësinë për t’u rizgjedhur.

Sipas analistit King, Trumpit i duhet ta ruajë epërsinë dhe të fitojë në Karolinën Veriore, Georgia dhe Maine.

Ndërsa, për të fituar në Georgia, kandidatit demokrat Joe Biden i duhen dy të tretat e 185 mijë votave që ende nuk janë numëruar.

Fitorja në Pennsylvania  i duhet presidentit Trump për të mbetur në garë. Po ashtu, ai duhet të luftojë edhe për Arizonën, raporton CNN.