Çmimi i naftës pritet të ngritet nga muaji maj edhe në Kosovë

Që nga fillimi i muajit maj paralajmërohet të ketë rritje të çmimit të derivateve edhe në Kosovë, për shkak të reduktimit të prodhimit të derivateve pasi që si pasojë e situatës së krijuar nga coronavirusi është ulur edhe konsumi.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve në Kosovë, Fadil Berjani në një prononcim për KALLXO.com ka deklaruar se çmimi është ulur kohëve të fundit në gjithë botën, e që Kosova renditet e dyta pas Maqedonisë Veriore për çmimet më të lira.

“Sa i përket çmimit te derivateve, çmimin e përcakton BERZA dhe organizata prodhuese OPEC. Në uljen e çmimit ka ndikuar edhe coronavirusi, i cili ka kapluar gjithë botën po edhe të në Kosovë. Ulja e çmimit është në tërë botën po edhe tek ne është duke reflektuar. Tani çmimi në Kosovë është 0.88 cent dizelli, dhe benzina 0,86 cent. Qytetarët e Kosovës janë duke u shërbyer më çmimet më të lira në regjion përjashtim bënë Maqedonia Veriore në të cilën janë më lirë se ne pasi që kanë akcizën më të ulët për 0,22 cent. Kurse, në Shqipëri dizelli 1.24 cent dhe benzina 1.25 cent”, ka thënë Berjani.

Ai njoftoi se Organizata së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC) ka mbajtur një takim, e që nga aty është marrë vendimi që të reduktohet prodhimi 10 deri 15% e që nga fillimi i muajit maj, do të këtë rritje të çmimit i derivateve me përqindje të njëjtë.

“ShBA-ja është një ndër prodhuesit ma të mëdhenj në botë, ka prodhim të madh por që konsum ma të ultë për shkak të coronavirusit si dhe ndikuar ne ulje te çmimit. Javën e kaluar patë një takim të prodhuesve ne organizatën prodhuese ku u murr vendim që të reduktohet prodhimi nga 10% deri ne 15% ku u dakordua edhe ShBA-ja e që nga fillimi i muajit maj do të ketë rritje nga 10 deri 15%. Këto çmime normalisht ndikojnë edhe në Kosovë.”, shtoi ai për KALLXO.com

Në anën tjetër, çmimi i naftës në Shtetet e Bashkuara ka rënë në nivel të paparë që nga viti 1999, për shkak të rënies së kërkesave, si pasojë e pandemisë së coronavirusit.

Çmimi i një fuçie të West Texas Intermediate (WTI), që përdoret si pikë referimi për naftën amerikane, ra të hënën për 19.3 për qind, përkatësisht në 14.74 dollarë.

Kërkesat kanë rënë pasi shumë vende të botës janë izoluar, për shkak të pandemisë së coronavirusit, duke ndërprerë një pjesë të madhe të trafikut ajror dhe rrugor.

Çmimi i naftës bie në nivel rekord në ShBA