Ilustrim

Çmimet për investime në bujqësi ranë për -2.2% në tremujorin e tretë të 2020-ës

Inputet bujqësore ishin më të lira në tre muajt korrik-shtator në raport me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar

“Në tremujorin e tretë të vitit 2020, indeksi i Input 1 ka rënie për (-4.1%), krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019. Kurse, indeksi i Input 2 ka rënie për (-0.2%. )”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

Ndërkaq, Indeksi i përgjithshëm i inputeve (Input 1+Input 2) ka rënie për (-2.2%), krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019.

Prodhimet që krijojnë bazë për Indeksin e Çmimeve të Inputeve janë të ndara në dy grupe kryesore: Mallrat dhe shërbimet aktualisht të konsumuara në bujqësi (Input 1) dhe Mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet në bujqësi (Input 2). Brenda grupit Input 1, çmimet grumbullohen sipas grupeve në vijim: farëra dhe material mbëltues, energji, vajra, plehra dhe përmirësues të tokës, produkte për mbrojtjen e bimëve dhe pesticide, shpenzime për veterinari, lëndë për ushqimin e kafshëve, mirëmbajtje e materialeve, mirëmbajtje e ndërtesave, si dhe mallra dhe shërbime të tjera. Kurse, sa i përket Input 2, çmimet grumbullohen për materiale (makineri dhe pajisje të tjera), ndërtesa të tjera (ndërtesat jo-rezidente të fermës, punë të tjera, përveç përmirësimit të tokës).

Këto të dhëna, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) i bëri të ditura me publikimin e “Indeksin e Çmimeve të Inputeve dhe Çmimet në Bujqësi“ për tremujorin e tretë (TM3 2020).

Sipas ASK-së, ky publikim është i bazuar në çmimet e inputeve bujqësore të grumbulluara në Kosovë. Grumbullimi i çmimeve është kryer në barnatoret bujqësore, farmacitë veterinare, në kompani, tregje dhe vende të tjera, ku çmimet e inputeve bujqësore janë në dispozicion. Disa çmime të inputeve bujqësore janë marrë nga çmimet e konsumit (IHÇK) në ASK.