Ilustrim

Çmimet e naftës shënojnë rënie, por në tregun kosovar fare pak ose hiç

Pavarësisht se në bursën ndërkombëtare ditëve të fundit çmimi i derivateve të naftës ka shënuar rënie, në tregun kosovar kjo është duke u vërejtur fare pak ose hiç.

Qytetarët ankohen se tashmë është bërë praktikë që çmimet të ngritën sapo ato të ngritën në bursën ndërkombëtare, ndërsa për ulje naftëtarët hezitojnë të reagojnë menjëherë. Por nga Shoqata e Naftëtarëve thonë se çmimet e naftës në Kosovë janë më të ulëtat në rajon.

Nga një euro e 10 centë deri në një euro 30 centë lëvizin çmimet e derivateve të naftës aktualisht në Kosovë, ani pse çmimet në bursën ndërkombëtare kanë shënuar rënie. Qytetarët shprehen të shqetësuar për çmimin e lartë të derivateve. Ata thanë për Radio Kosovën se çmimet e larta po ua vështirësojnë jetën kur dihet se pagat në Kosovë janë të ulëta.

“Çmimi i derivateve është shume i lartë dhe vështirë për t’u përballuar, duke i pasur parasysh pagat  dhe standardin me të cilat jetohet në Kosovë.”

E kryetari i Shoqatës se Naftëtarëve të Kosovë, Fadil Berjani, ka thënë se çmimi i derivateve ka shënuar një rënie të lehtë, duke specifikuar se çmimi i naftës në Kosovë është më i liri në rajon.

“Për sa i përket çmimit të derivateve të naftës, mund të themi se Kosova është më e lira në rajon. Ka pasur rënie në tregjet botërore ku edhe te ne ka reflektuar. Një litër dizel është 1.16 ndërsa një litër benzinë është 1 euro e 21 centë.”

Radio Kosova ka parë çmimet në disa pika shitëse të naftës në regjionin e Gjilanit dhe ka hasur në çmime të ndryshme, brenda një hapësire prej 2 kilometrash, në një  pikë çmimi i naftës ka qenë një euro, ndërsa në pikën tjetër 1 e 28 centë.

Për këtë Berjani ka thënë se përcaktimi i çmimit të naftës i takon tregut të lirë, por ai ka theksuar se është shqetësuese që disa pika shtesë të naftës e kanë çmimin shitës nën çmimin blerës.

“Si është e mundur të blihet një euro e katër centë e me shit një euro e tre centë. Çfarë leverdie, çfarë biznesi o ky?”

Berjani ka theksuar se Kosova nuk ka rafineri të naftës që mund të garantojë një çmim fiks./RTK/